Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rexhepi, futbollisti i ri i radhës që iu bashkua Kosovës

Nuredin Rexhepi është futbollisti i ri i radhës që i bashkohet Kosovës. 17-vjeçari Rexhepi luan në pozitën e qendërmbrojtësit te të rinjtë e skuadrës gjermane, Stuttgart. Rexhepi më herët ka luajtur një ndeshje miqësore për U17 të Gjermanisë dhe pesë të tjera për grupmoshën U16.

“Dua të ndaj me të gjithë ju një tjetër lajm të mrekullueshëm pasi talenti i ri, Nuredin Rexhepi, tashmë do të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës.

Nuredini është një 17-vjeçar shumë premtues, qendërmbrojtës i ekipit të VfB Stuttgart. Nuredini, i cili deri tash ka qenë pjesë e Kombëtares U17 të Gjermanisë, ka vendosur të luajë me gjithë zemër për Kombëtaren e Kosovës.

Ky vendim i vlefshëm është marrë nga Nuredini dhe familja e tij, duke shprehur dëshirën e tyre të flaktë për ta përfaqësuar vendin e tyre”, ka thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Për ta pasur të drejtën të luaj për Kosovën, Rexhepit i duhet të ndjek procedurat e pajisjes me pasaportë të Kosovës.