Qendërmbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Ibrahim Dresheviq, gjatë afatit kalimtar të janarit pritet të bëjë hapin e madh në karrierë. Mediumet holandeze kanë raportuar të martën se ekipet e mëdha holandeze si PSV Eindhoven e AZ Alkmaar po insistojnë për transferimin e tij.
Dresheviq, 22-vjeçar, është pjesë e Heerenveenit dhe paraqitjet e tij të mira këtë edicion në “Eredivise” kanë bërë që ai të kërkohet nga skuadrat që po luftojnë për trofe.
Dresheviq deri më tash është i pazëvendësueshëm te Heerenveeni dhe vlerësohet ndër më të mirët në rolin e tij në gjithë ligën holandeze. Në 18 paraqitje në të gjitha garat për Heerenveenin, Dresheviq ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asistim.
Ai ka kontratë me Heerenveenin deri në verën e vitit 2022 dhe mësohet se për kartonin e tij, si PSV Eindhoveni ashtu edhe AZ Alkmaari, janë të gatshme të paguajnë dëmshpërblim një milion euro, shkruan sot Koha Ditore.
“PSV Eindhoven dhe AZ Alkmaar kanë kthyer sytë nga qendërmbrojtësi i Heerenveenit, Ibrahim Dresheviq, që e shohin si përforcim të duhur dhe po kërkojnë ta transferojnë gjatë janarit. Dresheviq këtë edicion është shndërruar ndër lojtarët kryesorë te Heerenveeni, por gjasat janë të mëdha që ai të largohet në janar”, ka shkruar “Voetbal4u.nl” të martën. “Te PSV-ja nuk janë të kënaqur me lojtarët e mbrojtjes me gjithë shpenzimet e mëdha që i kanë bërë para fillimit të këtij edicioni. Për këtë arsye po insistojnë në Dresheviqin derisa te AZ Alkmaari kanë telashe me lëndime të lojtarëve që do të pauzojnë pothuajse gjatë tërë këtij edicioni”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)