Mbrojtësi Arbenit Xhemajli synon më tepër minuta te përfaqësuesja e Kosovës në futboll. 21-vjeçari aktualisht është në mesin e rezervistë te “dardanët”, por po zhvillohet mirë në futbollin zviceran.
Të shtunën ai është vlerësuar lojtari më i talentuar i Neuchatel Xamaxit. Sajti “welovefootball.ch” ka përzgjedhur nga një futbollist të ri e të talentuar nga secila skuadër e Superligës së Zvicrës, ndërsa prej Xamaxit më të talentuarin e ka vlerësuar pikërisht Xhemajlin.
Në fakt në listën e kësaj faqeje janë tre futbollistë shqiptarë. Pos Xhemajlit janë edhe Orges Bunjaku i Baselit dhe Kastriot Imeri i Servettes.
Xhemajli është te Xamaxi prej vitit 2017. Ai ka paraqitje për U-21 të Kosovës e po ashtu për Kosovën A. Së fundi ftohet rregullisht nga Bernard Challandes, por nuk aktivizohet. Prej fundit të shtatorit është stabilizuar në ekipin bazë të Xamaxit. Ka dy gola e një asistim në 16 paraqitje, raporton Koha.net.
“Me 21 vjet, ai është ende shumë i ri për mbrojtës të qendrës, por përfundimisht ka siguruar vend në ekipin bazë. Po ashtu është prej lojtarëve me paraqitjet më të mira te skuadrës. Xhemajli është edhe lojtari më i vlerësuar te Xamaxi”, ka shkruar ditë më parë “sport.ch”, që po ashtu e ka vlerësuar Xhemajlin si më të talentuarin te Xamaxi.