Sport

Rënia e mesfushës së Kosovës

kosova, futboll, mesfusha, futbollistet, sporti

Hekuran Kryeziu, Besar Halimi dhe Herolind Shala ishin të padiskutueshëm në repartin e mesfushës te Përfaqësuesja e Kosovës. Njëri prej tyre zëvendësohej vetëm kur mungonin shkaku i lëndimeve apo suspendimeve. Por, kur të tre futbollistët ishin të grumbulluar te Kosova, paraqitja e tyre në fushë fare nuk diskutohej. Treshja Kryeziu-Halimi-Shala kanë qenë të rregullt në fushë në kohën kur në krye të Kosovës ishin Albert Bunjaki dhe Bernard Challandes.

Herë pas here, treshes në mesfushë i shtohej edhe Bersant Celina. Nga dy trajnerët vlerësohej se treshja sillte stabilitet në mesfushë.

Duartrokitjet për lojën e shfaqur i merrnin në shumicën e rasteve edhe nga shikuesit e pranishëm në tribuna. Kryeziu-Halimi-Shala janë tre mesfushorët që kanë më së shumti paraqitje te Kosova. Që prej vitit 2015, Halimi për “Dardanët” ka luajtur 34 ndeshje, Kryeziu 28 sosh, kurse Shala ka 27 paraqitje. Shala iu bashkua Kosovës një vit më vonë se Kryeziu dhe Halimi. Pra, në vitin 2016. Të tre futbollistët, që prej vitit të kaluar nuk janë ftuar më te Kosova. Mungesa e prezencës së tyre ka sjellë edhe mungesë të stabilitetit në repartin e mesfushës te Kosova. Kryeziu, 29-vjeçar, që nga muaji korrik i vitit të shkuar është pa skuadër. Nuk ka ndonjë informacion rreth të ardhmes së tij.

Ai ka qenë i mbyllur për media që nga ajo kohë. Ishte pjesë e Zuerichut të Zvicrës. Zuerichu fitoi titullin e kampionit këtë edicion me shumë shqiptarë në përbërje. Pa klub, së fundi ka mbetur edhe Besar Halimi. Halimi, 27-vjeçar, nga marsi i këtij viti ka shkëputur kontratën me Rigan e Lituanisë, ndërsa Shala, 30-vjeçar, është pjesë e Erzurumsporit, që garon në Kategorinë e Dytë të Turqisë. Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, ka thënë se treshja Kryeziu-Shala-Halimi janë ende pjesë e “Dardanëve”.

“Sigurisht se të tre lojtarët kanë qenë të rëndësishëm për Kosovën. Kanë luajtur rregullisht, por tashmë jemi në një fazë ku në përfaqësuese ftohen vetëm lojtarët që janë me klube dhe kanë kontinuitet të paraqitjeve dhe që luajnë në nivel të lartë”, është shprehur Sahiti për KOHËN. “Kemi mbajtur kontaktin me futbollistët dhe presim që sa më shpejt të bëhen me skuadra dhe të shohim zhvillimin e tyre. Ata nuk janë përshëndetur me ne dhe as ne me ata. Kështu që, ne jemi duke vëzhguar situatën e tyre”.

Që nga fundi i vitit të shkuar, edhe futbollistët e mesfushës janë ndërruar vazhdimisht te Kosova. Vetëm në gjashtë ndeshjet e drejtuara nga përzgjedhësi Alain Giresse, Kosova nuk ka luajtur asnjëherë me mesfushorë të njëjtë. Në ndeshjen debutuese të francezit, miqësoren kundër Burkina Fasos, Kosova u paraqit me Ibrahim Dresheviqin, Toni Domgjonin dhe Florent Muslijan. Ndërsa, pak ditë më vonë, në miqësoren në Zuerich kundër Zvicrës, në repartin e mesfushës u paraqitën Florian Loshaj, Blendi Idrizi dhe Valon Berisha.

Edhe në katër ndeshjet e këtij muaji në kuadër të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, Kosova nuk luajti me mesfushë të njëjtë. Prej katër dueleve, “Dardanët” regjistruan dy fitore, e po aq humbje. Të dy humbjet ia shkaktoi Greqia.

Betim Fazliji, Blendi Idrizi dhe Valon Berisha u paraqitën ndaj Qipros në duelin e parë. Në të dytin, ndaj Greqisë, luajtën Betim Fazliji, Florian Loshaj dhe Arbër Zeneli. Kundër Irlandës së Veriut ishin Ibrahim Dresheviq, Florent Muslija dhe Valon Berisha, ndërsa në ndeshjen fundit, atë kundër Greqisë në Volos, luajtën Florent Muslija, Valon Berisha dhe në krahë Donat Rrudhani e Zymer Bytyqi. Në fakt, ka pasur raste kur lojtarët e Kosovës kanë luajtur në pozicione të ndryshme.

Betim Fazliji në raste ka luajtur si mesfushor, e po ashtu edhe si qendërmbrojtës. Njëjtë ishte edhe me Ibrahim Dresheviqin, ndërsa së fundi në qendër të mesfushës luajti edhe Benjamin Kololli. Kololli ka luajtur edhe si sulmues qendror, i krahut dhe mbrojtës i krahut të majtë. Konkurrenca më e madhe është vlerësuar të jetë te Kosova faza e sulmit, derisa rehati nuk ka pasur edhe në mbrojtje, veçanërisht në qendër të mbrojtjes. Amir Rrahmanit i janë ndërruar shpesh partnerët në qendër të mbrojtjes.