Seleksionuesi i Shqipërisë në futboll, Eduardo Reja, është pro që ndeshja kundër Anglisë të luhet me tifozë.
Reja ka përkrahur idenë që në ndeshjen më 28 mars në “Air Albania Staduim” në Tiranë, të lejohet prania e tifozëve, deri në 30 për qind të kapacitetit të tribunave të stadiumit.
Shqipëria luan fillimisht më 25 mars si mysafire e Andorrës në ndeshjen e xhiros së parë të Grupit I të eliminatoreve për Botërorin 2022.
Më pas e pret Anglinë më 28 mars në kuadër të eliminatoreve. E më 31 mars, po ashtu në eliminatore, është mysafire e San Marinos.
Federata e Futbollit të Shqipërisë ka bërë kërkesë te Qeveria që të lejohet prania e tifozëve në ndeshjen ndaj Anglisë.
“Jam pro kësaj kërkese. Për më tepër me 30% të kapacitetit te stadiumit është e mundur të ruhet dhe distanca fizike e nevojshme dhe nuk do të kishte rreziqe. E imagjinoni nëse do të kishte disa tifozë në një ndeshje me Anglinë dhe kënaqësinë e madhe që do të kishin futbollistët, që më fund do të shohin pak spektatorë në tribuna, të cilët do të kritikonin, do t’i motivonin, për të marrë pjesë në ndeshje, sepse futbolli pa publik nuk mund të ekzistojë. E kemi parë që djemtë janë mësuar tashmë të luajnë pa tifozë, por ndeshja me spektatorë ka një shije tjetër. Shpresoj të bëhet i mundur ky lëshim, pasi do të ishte një rezultat i shkëlqyer. Por kam parë edhe vende të tjera që kanë bërë të njëjtën kërkesë, madje edhe në Itali kanë kërkuar që të ketë tifozë në stadiume. Nëse ka vende të tjera që e pranojnë këtë gjë do të ishte mirë që edhe Shqipëria ta pranonte një kërkesë të tillë”, ka deklaruar Reja në konferencë për media.
Në listën e Shqipërisë për herë të parë është përfshirë mesfushori Nedim Bajrami, e po ashtu edhe Mario Mitaj.
“Ka disa emra të rinj, për shembull Nedim Bajrami, i cili për herë të parë i bashkohet grupit. Është një lojtar i cili po paraqitet mjaft mirë tek Empoli. Prej një viti kemi qenë në kontakt me të dhe tani ka vendosur të jetë pjesë e Kombëtares sonë, të shpresojmë që do të na ndihmojë. Një tjetër është Mario Mitaj, një djalë i ri dhe me potencial që ka spikatur me AEK-un e Athinës në Greqi, ka mundësi të përmirësohet edhe më shumë, por ndërkohë do të fillojë të jetë pjesë e Kombëtares A në mënyrë që të nisë të ambientohet për të ardhmen, sepse është ende shumë i ri”, ka deklaruar Reja.