Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Reina ishte frikësuar për jetën e tij pas infektimit me koronavirus

Foto: Reuters

Portieri spanjoll Pepe Reina ishte frikësuar për jetën e vet pasi kishte pasur probleme me frymëmarrje pas infektimit me koronavirus.

Reina, që është huazuar te Aston Villa nga Milani, kishte treguar më herët këtë muaj se beson se është infektuar pasi ka shfaqur simptomat.

Duke folur për “Corriere dello Sport”, Reina 37-vjeçar ka rrëfyer përjetimin e tij të tmerrshëm.

“Unë jam duke e fituar betejën me koronavirusin vetëm tash. Momenti më i vështirë ishte kur nuk po mund të merrja frymë, 25 minutat kur mbeta pa oksigjen. Ishin momentet më të këqija në jetën time. Nuk po më mungon shoqëria, pasi jam me bashkëshorten Yolanda, me pesë fëmijët e mi. Shtëpia është e madhe dhe nuk ka vetmi këtu”, ka thënë Reina. “Unë isha shumë i lodhur pasi përjetova simptomat e para të virusit. Temperaturë, kollë të thatë dhe kokëdhembje që ende kam. Po ndjeja plogështi të vazhdueshme. Frika e vetme që pata ishte kur e kuptova se nuk po mund të marrë frymë: minuta frike, sikur fyti të më mbyllej papritmas. Si rezultat unë kalova gjashtë apo tetë ditët e para mbyllur”.

Reina ka treguar se ka marrë masat dhe është izoluar kur ka filluar të përjetojë simptomat e parë, ndonëse nuk ishte testuar.