Pamja e dy demave të kuq, me kokat poshtë duke e goditur një top futbolli, tashmë është bërë e njohur në Evropë, falë dy ekipeve të mbështetura nga kompania e pijeve energjike “Red Bull” e që prijnë në ligat elitare ku garojnë. Bëhet fjalë Red Bull Salzburgun në Austri dhe RB Leipzig në Gjermani.
Para këtyre dy skuadrave, kjo kompani e ka shndërruar ekipin New York MetroStars në New York Red Bulls dhe pak a shumë ka mbajtur emrin e brendit edhe në Brazil, te skuadra Sao Paulo’s Red Bull. Lëvizja e ardhshme pritet të bëhet në Danimarkë, ku skuadra e famshme Brondby mund të bëhet Red Bull Brondby apo Brondby Red Bulls, megjithëse nisma po kundërshtohet nga tifozët danezë, shkruan sot Koha Ditore.
Kompania e njohur nga Austria, që gjithashtu investon shumë në promovimin e sporteve ekstreme dhe ka në pronësi një skuderi në Formula 1, zyrtarisht ka shprehur interesim për ekipin elitar të Danimarkës.
Kampioni i dhjetëfishtë i Danimarkës që është me bazë në skajin perëndimor të Kopenhagës është ekipi i parë danez që ka arritur në gjysmëfinale të një garë evropiane. Por Brondby nuk ka fituar titull kampioni në Danimarkë që nga viti 2005.
(shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)