Sporte të tjera

Pas 20 vjetësh, Horneri shkarkohet nga Red Bulli

Christian Horner

Pas 20 vjetësh, Red Bulli në Formula 1 ka vendosur të ndajë rrugët me shefin e skuadrës, Christian Horner. Vetë Horner ka thënë se nuk i është dhënë arsye e qartë për shkarkimin e papritur nga skuadra me bazë në Milton Keynes.

Sipas komentatorit të Sky Sports F1, Martin Brundle, Horner është larguar pa ndonjë shpjegim të qartë.

“Jam në pritje të flas me Christianin më vonë gjatë ditës. I dërgova një mesazh ku i thashë: ‘Më vjen keq që po e lexoj këtë [për largimin tënd]’. Në fakt, i kërkova të flisnim para se të dilja në televizion, sepse doja të dija më shumë nga këndvështrimi i tij, por ai nuk mundi ta bënte këtë. Ajo që më tha ishte se nuk iu dha asnjë arsye përse u largua. Ky është i vetmi informacion i sigurt që kam”, ka thënë Brundle.

Brundle e përshkroi lajmin si “shokues” dhe e pranoi se erdhi krejt papritur, por shtoi se kishte “probleme në ekip” dhe se kishte dëgjuar fjalë “nga kampi i Max Verstappenit dhe të tjerët”.

“Jam mjaft i trishtuar për këtë, sinqerisht. E konsideroj Christianin një mik dhe ai ka bërë punë të jashtëzakonshme gjatë këtyre 20 vjetëve – ka fituar shumë gara dhe kampionate bote për pilotë dhe për ekipin. Ai e transformoi skuadrën. Por kohëve të fundit nuk ka qenë e vështirë të kuptosh se gjërat nuk po shkonin mirë”, ka thënë Brundle.

Horneri ka qenë në qendër të vëmendjes që nga fillimi i vitit të kaluar, kur u përball me akuza për sjellje të papërshtatshme nga një punonjëse femër e ekipit Red Bull. Megjithatë, ai u shpall i pafajshëm.

Komentatori Brundle e cilësoi këtë çështje si “ndoshta pjesë e arsyes” për largimin e Hornerit, por shtoi se arsyeja kryesore lidhet me përplasjet dhe kundërshtimet që ai kishte brenda ekipit, veçanërisht nga kampi i pilotit Max Verstappen.

“Mendoj se kjo ndikon edhe në mundësinë që Verstappeni të qëndrojë në ekip. U bë disi personale, le ta quajmë ‘Ekipi Verstappen’ “, shton ai.

Sipas tij, disa faktorë kanë ndikuar në largimin e Hornerit, përfshirë edhe faktin që makina e Red Bull ka nisur të tregojë dobësi, pavarësisht se ka fituar disa gara gjatë këtij sezoni.

“Sigurisht që kanë fituar disa gara në mënyrë brilante këtë vit, por asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Gjërat ecin përpara dhe Red Bulli ka nisur të bëjë ndryshime të mëdha”, vijon komentatori.

Laurent Mekies, që ishte shef skuadre te Racing Bulls, ekipi junior i Red Bullit, do ta marrë vendin e Hornerit.