Skuderia e Red Bullit është shpallur fajtore për thyerjen e kufirit buxhetor të Formula 1, nga organi drejtues i sportit, FIA.
Red Bulli e ka tejkaluar kufirin prej 145 milionë dollarësh gjatë vitit 2021, tha FIA, duke shtuar se shkelja ishte “e vogël”, përkatësisht më e ulëta nga dy kategoritë e shkeljes.
Kjo do të thotë se ekipi e ka tejkaluar kufirin me më pak se 5 për qind, ose 7.25 milionë dollarë. Si Red Bulli, ashtu edhe skuderia Aston Martin u shpallën fajtorë për një shkelje procedurale të limitit. FIA nuk zbuloi shumën me të cilën Red Bulli tejkaloi kufirin, se si e kishte bërë këtë, apo çfarë ndëshkimesh do të aplikoheshin. Nëpërmjet një komunikate tha se “aktualisht ishte duke vendosur veprimet e duhura”.
Të dyja skuderitë kanë mundësi ta apelojnë vendimin.
“Për sa i përket këtij viti të parë të zbatimit të rregulloreve financiare, ndërhyrja e administratës së kostos së FIA-s është kufizuar në shqyrtimin e parashtresave të bëra nga konkurrentët dhe nuk u nisën hetime të plota formale”, shkroi FIA në komunikatë.
Një shkelje procedurale nuk është një shpenzim i tepërt, por një mosplotësim i saktë i formularëve. Skuderia Williams u shpall gjithashtu fajtor për këtë dhe u gjobit me 25 mijë dollarë në fillim të këtij viti.
Dënimet e mundshme për një shkelje “të vogël” përfshijnë: një qortim, zbritjen e pikëve të kampionatit të pilotëve ose konstruktorëve për kampionatin në fjalë, pezullim nga një ose më shumë faza të një gare, kufizimet në testime aerodinamike ose të tjera dhe një reduktim të kufirit të kostos së ekipit.
Më herët të hënën drejtori i Red Bullit, Christian Horner, përsëriti besimin se ekipi ishte nën kufirin e limitit në vitin 2021, një sezon në të cilin piloti i Red Bullit, Max Verstappen, fitoi titullin e kampionit në një luftë të ngushtë me shoferin e Mercedesit, Lewis Hamilton, në rrethana të diskutueshme në garën e fundit.
“Ne jemi shumë të sigurt se jemi brenda kufirit dhe brenda atyre rregulloreve financiare”, tha Horner.
“Pra ne jemi të tronditur nga spekulimet dhe akuzat që janë bërë nga ekipet e tjera. Ne presim që FIA ta përfundojë procesin e saj dhe ne presim të shohim se çfarë do të dalë. Çdo gjë tjetër përveç pajtueshmërisë do të jetë jashtëzakonisht e habitshme”.
Përveç mundësisë së një apeli, Red Bulli gjithashtu ka mundësinë të hyjë në një
“marrëveshje zgjidhjeje” me FIA-n. Në këtë skenar një ekip pranon fajin dhe FIA vendos një dënim që e sheh të përshtatshëm. Nëse një marrëveshje zgjidhjeje nuk mund të arrihet, mosmarrëveshja do të shkojë në një trup gjykues të përbërë nga gjyqtarë të pavarur, të cilët do të shqyrtojnë çështjen dhe do të arrijnë në përfundimin nëse vepra duhet të dënohet.
Nëse skuaderia nuk është ende e lumtur pas kësaj, ajo mund ta çojë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Apelit të FIA-s. Te Aston Martini nuk e komentuan këtë çështje, por qëndrimi kuptohet të jetë se shpenzuan më pak se shuma totale e kufirit buxhetor në vitin 2021 dhe pendohen për shkeljen e tyre, e cila u përqendrua në protokollet administrative që pasqyrojnë atë që te skuderia e konsiderojnë një interpretim të ndërlikuar rregullator.
Drejtori i Ferrarit, Mattia Binotto, tha se edhe një shkelje e ashtuquajtur “e vogël” ishte një shkelje e rëndësishme dhe detajoi vlerën e një shpenzimi të tepërt për konkurrencën e një ekipi.
“Nëse ka një shkelje ndëshkimi duhet të jetë i konsiderueshëm. Makina jonë është zhvilluar duke respektuar kufirin e buxhetit dhe ne e dimë se sa do të kishte nënkuptuar edhe një shkelje e vogël në performancë. 5 milionë dollarë janë rreth gjysmë sekonde”, insistoi Binoto. “Bëhet fjalë për vitin 2021. Dhe gjithashtu gjatë sezoneve në vijim. Pres transparencë dhe qartësi të plotë mbi diskutimet që kanë pasur”.
Drejtori i Mercedes F1, Toto Wolff, ka bërë gjithashtu thirrje për transparencë në lidhje me procesin që është përdorur për të arritur në vlerësimin e çdo shkeljeje.