Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Reali prezanton projektin gjigant të rinovimit të Bernabeut

Foto: Reuters

Real Madridi do ta rinovojë stadiumin Santiago Bernabeu.

Sipas presidentit të klubit, Florentino Perez stadiumi i renovuar “Santiago Bernabeu” do të jetë më i bukuri në botë, derisa punimet do të fillojnë gjatë kësaj vere dhe do të përfundojnë pas 42 muajsh për shkak edhe të ndalesave gjatë ndeshjeve të Real Madridit.

Në ambientet e klubit të Real Madrid është folur prej kohësh për një rinovim të Santiago Bernabeut, transmeton kp.

Pikërisht ditën e sotme, presidenti Florentino Perez, ka prezantuar se si do të duket Bernabeu i ri.

Për rinovimin e stadiumit Reali do të shpenzojë më shumë se 500 milionë euro. Përpara se të bënte prezantimin, Perez mbajti dhe një fjalim.

“Ky është vendi që është admiruar për 117 vite. Akoma ëndërrojmë ta bëjmë Realin një ndër klubet më të admiruara në botë. Ky klub i përket të gjithë madrilenëve dhe nuk menaxhohet për të përfituar. Në bazë të këtyre parimeve dhe vlerave kemi punuar deri më sot pa u lodhur”, është shprehur Perez. “Ky stadium do të jetë një ikonë për klubin dhe qytetin dhe do të jetë stadiumi më i bukur në botë”.