Barcelona po shkëlqen bashkë me sulmuesin Robert Lewandowski, ndërsa Real Madridi do të ketë një tjetër test pa yllin francez, Karim Benzema.
Real Madridi e nisi mbrojtjen e trofeut të Ligës së Kampionëve në mesjavë me fitoren 3:0 në udhëtim te Celticu, por kjo fitore la shije të hidhur pas lëndimit të Benzemas. Dëmtimi i kofshës mund ta lërë atë jashtë fushës deri në muajin tetor.
Pa favoritin e “Topit të Artë”, që mbahet në muajin e ardhshëm, Vinicius Junior dhe bashkëkombësi i tij brazilian, Rodrygo, do ta kenë barrën kryesore të sulmit për Realin, që luan kundër Mallorcas së Vedat Muriqit. Kjo ndeshje luhet të dielën nga ora 14:00.
Muriqi mbetet rreziku kryesor për portën madrilene. Sulmuesi shtatlartë që përfaqëson Kosovën e ka nisur mirë sezonin duke realizuar dy gola në katër ndeshje të luajtura.
Viniciusi po shkëlqen nga ana tjetër, teksa ka realizuar në secilën prej katër ndeshjeve të fundit.
Pas barazimit pa gola në ndeshjen hapëse të vikendit në La Liga, Barcelona tani ka 16 gola të shënuar në katër ndeshje. Tetë prej tyre i ka realizuar nga Lewandowski, i cili shënoi edhe “hat-trick” kundër Viktoria Plzenit në Ligën e Kampionëve. Ai bëhet futbollisti i parë që shënon tregolësh në “Champions”, me tre klube të ndryshme.
Edhe
Muriqi përballë yjeve të Barcelonës
Barcelona të shtunën luan në udhëtim te Cadizi i vendit të fundit në orën 18:30, në ndeshjen e xhiros së pestë të La Ligës spanjolle.
Atletico Madridi të shtunën nga ora 21:00 ballafaqohet me Celta Vigon.