Real Madridi e fillon numërimin mbrapsht për finalen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit duke u përballur me Atletico Madridin në derbin kryeqytetas në kuadër të ligës spanjolle.
Real Madridi i trajnerit Carlo Ancelotti ka më së shumti krenari për të luajtur të dielën, pasi fitoi titullin e kampionit të Spanjës vikendin e shkuar. Realit i kanë mbetur edhe katër ndeshje në ligë dhe trajneri italian duhet të bëjë aktin delikat balancues për të mbajtur skuadrën e tij në formën më të mirë, duke shpresuar të shmangë ndonjë dëmtim të lojtarëve titullar në prag të finales së Championsit që luhet më 28 maj në Paris. Kur titulli ende nuk ishte punë e kryer për Realin fundjavën e kaluar kundër Espanyolit, Ancelotti e filloi ndeshjen me disa lojtarë rezervistë, si sulmuesi Mariano Diaz e mbrojtësi Cesar Vallejo. Real Madridi nuk e kishte problem të mposhtte Espanyolin 4:0 për ta fituar titullin e 35-të në histori të klubit. Tifozët e Realit janë ende duke e shijuar fitoren dramatike me rikthim sensacional 3:1 të skuadrës së tyre ndaj Manchester Cityt në gjysmëfinalen e Championsit të mërkurën, për të avancuar në finale të kësaj gare me rezultatin e përgjithshëm 6:5. Rodrygo, një sulmues 21-vjeçar, doli si shpëtimtari i skuadrës me dy gola në minutat e fundit për ta dërguar ndeshjen në vazhdime dhe për t'i dhënë Karim Benzemas mundësinë për ta shënuar golin vendimtar nga penalltia.
“Në këtë fanellë ne mësojmë të luftojmë gjithmonë deri në fund të ndeshjes dhe kështu ishte edhe kundër Manchester Cityt, tha Rodrygo të premten, i cili nguliti emrin e tij në historinë e gjatë të rikthimeve të Realit pas atyre ndaj Paris Saint-Germainit e Chelseat në raundet paraprake.
Rodrygo insistoi se Reali tashmë fokusin e ka të finalja e Championsit kundër Liverpoolit dhe shtoi se ndeshjet në kuadër të La Ligas, do t’i shërbejnë trajnerit Ancelotti për ta përgatitur ekipin sa më mirë.
“Që tani ne e kthejmë vëmendjen tonë te Liverpooli. Synimi është ta fitojmë finalen, por e kemi parasysh se nuk do të jetë aspak lehtë”, u shpreh Rodrygo. “Ne tani, do t’i përdorim ndeshjet në ligë për t’u bërë gati për finalen e Parisit”.
Nuk dihet nëse lojtarët e Atleticos do të mirëpresin Realin me një gardë nderi për titullin e fituar në La Liga para fillimit të ndeshjes. Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Wanda Metropolitano” dhe nis në orën 21:00. Në të vërtetë, tek Atletico kanë paralajmëruar se nuk do ta bëjnë gardën e nderit për rivalin e përbetuar për shkak se nuk duan të poshtërojnë tifozët e tyre. Atletico ka diçka për të luajtur përtej kënaqësisë për të mposhtur Realin, të cilin e konsideron rivalin më të madh. Skuadra e Diego Simeones mbetet në luftë për të siguruar një vend, i cili garanton pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
“Ne kemi arsye shumë të fortë ta fitojmë këtë derbi dhe këtë do të mundohemi ta bëjmë”, tha shkurt Simeone.
Atletico, i cili kurrë nuk pati një mbrojtje bindëse për titullin e ligës këtë sezon, ka fituar vetëm një herë në katër raundet e fundit. Kjo rënie e ka lënë Real Betisin të afrohet me vetëm tri pikë në vendin e pestë.
Barcelona dhe Sevilla do të shpresojnë të forcojnë vendet e tyre në tabelë për Ligën e Kampionëve.
Barcelona e vendit të dytë ka një ndeshje të vështirë në Betis të shtunën. Trajneri Xavi Hernandez do të jetë pa mbrojtësin Gerard Pique, i cili u dëmtua në ndeshjen e fundit, fitoren 2:1 ndaj Mallorcas. Sevilla e vendit të tretë ka një udhëtim të vështirë te Villarreali të dielën. Kjo do të jetë ndeshja e parë e Villarrealit qëkur u eliminua nga Liga e Kampionëve prej Liverpoolit në serinë gjysmëfinale. Skuadra e Unai Emery është në luftë për një vend në Ligën e Evropës, një garë që e fitoi në vitin 2021.