Real Madridi do të luajë të shtunën mbrëma dhe Carlo Ancelotti është i detyruar të bëjë rotacion në formacionin e tij, për shkak se në mesjavën e ardhshme do të ballafaqohet në shtëpi me Paris Saint-Germainin në duelin e kthimit të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Duelin e parë, Reali e humbi 1:0 në Paris.
Real Madrid – Real Sociedad do të zhvillohet të shtunën në orën 21:00, dhe i takon xhiros së 27-të në La Ligën e Spanjës.
Nuk do të ishte befasi nëse Karim Benzema do të ishte rezervist në këtë ndeshje.
Real Sociedadi u ngjit në vendin e gjashtë në tabelë të mërkurën pas fitores ndaj Mallorcas 2:0, por ka probleme në fazën e mbrojtjes pasi Naco Monreal, Diego Rico, Joseba Zaldua dhe Aihen Munoz nuk janë të gatshëm për lojë.
Villarreali zbriti në vendin e shtatë për shkak të fitores së Sociedadit, por skuadra e Unai Emeryt është në formë tejet të mirë, duke i fituar katër ndeshje e duke marrë një barazim në pesë ballafaqimet e fundit.
Villarreali shpreson ta ketë Gerard Morenon të gatshëm për udhëtimin në “El Sadar”, aty ku Osasuna duhet të fitojë pas dy disfatave të njëpasnjëshme.
Espanyoli nuk ka fituar në gjashtë ndeshjet e fundit dhe humbja nga Getafe do ta linte atë ende në luftë për të mbijetuar në elitë.
Vendi i tretë nga fundi, Cadizi, do të luajë të dielën kundër Rayo Vallecanos që shkoi në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit. Kjo do të jetë ndeshje e skuadrave me formën më të dobët në shtëpi dhe mysafir, në ligën spanjolle.
Rayo e ka fituar vetëm një ndeshje si mysafir, ndërsa Cadizi ende nuk ka marrë pikët e plota para tifozëve të vet.
Katër fitore në pesë ndeshje të ligës dhe kualifikimi në 1/8 e finales në Ligën e Evropës kanë sjellë vetëbesim te futbollistët e Barcelonës. Ndikim në rezultatet pozitive të Barçës pa dyshim se kanë pasur treshja e sulmit, Pierre-Emerick Aubameyang, Adama Traore dhe Ferran Torres.
Barcelona udhëton te Elche të dielën në orën 16:15.
Mallorca e Vedat Muriqit është në pozitë të vështirë në tabelë dhe të udhëhequrit e Luic Garcias kanë vizitë të vështirë te Celta, para se Real Betisi të luajë kundër Atletico Madridit, që pritet të jetë ndeshja më interesante e fundjavës.
Real Betis – Atletico Madrid luhet të dielën në orën 21:00.
Atletico ka dy fitore të njëpasnjëshme, por në radhët e veta nuk do t’i ketë të lënduarit, Stefan Saviq, Mario Hermoso, Mathias Cunha, Daniel Wass dhe Geoffrey Kondogbia. Ndërkohë, Betisi është me vetëbesim pas fitores të enjten në Kupën e Mbretit dhe mbetet favoriti kryesor për ta fituar trofeun.
Xhiroja e 27-të e La Ligës mbyllet me takimin Athletic Bilbao – Levante, që luhet të hënën në orën 21:00.