Pas më shumë se 18 muajsh, skuadra e Real Madridit po kthehet në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Reali do të luajë në këtë stadium të dielën kundër Celta Vigos në kuadër të La Ligas, 560 ditë pasi luajti për herë të fundit në këtë vend. Projekti masiv i rinovimit të stadiumit “Santiago Bernabeu” nuk ka përfunduar, por do të rihapet për një turmë të kufizuar kur La Liga të kthehet këtë vikend pas ndeshjeve të përfaqësueseve. Për Realin, kjo do të jetë ndeshja e parë në këtë stadium që para pandemisë më 1 mars të vitit 2020, kur Madridi e mposhti Barcelonën me rezultatin 2:0, me trajnerin Zinedine Zidane. Kthimin e Realit në stadium e konfirmoi edhe presidenti i klubit, Florentino Perez.
“Futbolli po kthehet në ‘Santiago Bernabeu’. Është shumë emocionuese të jesh në gjendje ta thuash këtë pas gjithë asaj që kemi kaluar gjatë këtyre kohëve të trishtueshme dhe të çuditshme”, tha Perez.
Madridi përfitoi nga ndalimi i spektatorëve në stadiume për shkak të pandemisë për të përshpejtuar punën e ndërtimit në “Santiago Bernabeu” ndërsa i luante ndeshjet si vendas në stadiumin e vogël “Alfredo Di Stefano” në kompleksin stërvitor të klubit. Në fakt, Reali këtë sezon i luajti tri ndeshje në udhëtim për ta bërë gati stadiumin “Santiago Bernabeu” për tifozët dhe ndeshja ndaj Celta Vigos i takon xhiros së katërt të La Ligas. Autoritetet spanjolle po i lejojnë klubet të mbushin 60 për qind të kapaciteteve të stadiumeve, që do të thotë gati 50.000 tifozë në “Santiago Bernabeu”, por vetëm disa mijëra njerëz priten të dielën. Jo të gjitha zonat e uljes do të jenë të disponueshme për tifozët derisa të përfundojë rinovimi total, dhe Madridi ende nuk ka thënë numrin e saktë të biletave që ka vënë në shitje për duelin me Celtan. “Santiago Bernabeu” nuk pritet të përfundojë plotësisht deri në fund të vitit 2022. Puna ndërtimore është e dukshme jashtë dhe brenda stadiumit, i cili do të ketë një çati lëvizëse dhe një video-tabelë të teknologjisë më të fundit. Në fushë, Madridi rifillon kampanjën këtë edicion në ligë pa Kylian Mbappen, pavarësisht një oferte të raportuar prej më shumë se 200 milionë eurosh për Paris Saint-Germainin në fund të afatit kalimtar. Shtesa e vetme e Madridit është mesfushori i ri Eduardo Camavinga, një shok i Mbappes te Franca. Rivali i qytetit të Realit, Atletico Madridi, kampioni në fuqi i La Ligas, e përforcoi skuadrën para ndeshjes me Espanyolin e rikthyer në elitë, duke sjellë Antoine Griezmannin në formë huazimi nga Barcelona. Griezmann pritet të aktivizohet në ndeshjen që luhet të dielën.
“Unë nuk mund të ndalem së buzëqeshuri", tha Griezmann. “E kisha pritur këtë moment. Unë do të jap gjithçka në çdo ndeshje për të shpaguar përpjekjet që bëri skuadra për mua që të mund të kthehem. Doja të kthehesha me çdo kusht. Është vendi më i mirë për mua, pasi këtu mund të jem i lumtur brenda dhe jashtë fushës”.
Barcelona - tashmë pa Lionel Messin - solli sulmuesin Luuk de Jong nga Sevilla për të ndihmuar në kompensimin e largimit të Griezmannit. Klubi katalonjas u lirua edhe më shumë nga buxheti i pagave, pasi e largoi Illaix Moriban te Leipzigu, Emersonin te Tottenhami dhe Miralem Pjaniqin te Beshiktashi.
Barcelona nuk do të luajë këtë vikend pasi ndeshja me Sevillan u shty për t’iu dhënë më shumë pushim lojtarëve të shteteve të Amerikës së Jugut, që ishin të grumbulluar me përfaqësueset e tyre për kualifikimet e Botërorit të vitit të ardhshëm. Gjithashtu u shty edhe dueli ndërmjet Villarrealit e Alavesit. Edhe përballja ndërmjet Realit e Celtas u zhvendos nga e shtuna në të dielën për të njëjtën arsye. Të shtunën, në La Liga do të zhvillohen vetëm dy ndeshje: Levante – Rayo Vallecano dhe Athletic Bilbao – Mallorca. Shtyrjet erdhën vetëm pasi autoriteti i lartë sportiv i Spanjës vendosi në favor të kërkesës së ligës drejtuar federatës së futbollit, e cila fillimisht refuzoi një gjë të tillë. Pas tri xhirove të zhvilluara këtë edicion në La Liga, gjashtë skuadra janë në krye të tabelës me nga shtatë pikë të mbledhura – Real Madridi, Sevilla, Valencia, Barcelona, Atletico Madridi dhe Mallorca.