Zinedine Zidane ua ka përkujtuar futbollistëve të tij se janë vetëm dy ndeshje larg finales të Ligës së Kampionëve. Dhe, për këtë arsye trajneri i Real Madridit pret angazhim të madh prej tyre në dy ndeshjet gjysmëfinale të kësaj gare prestigjioze.
Real Madridi në gjysmëfinale do të përballet me skuadrën e Chelseat. Ndeshjen e parë madrilenët e luajnë në shtëpi, të martën mbrëma prej orës 21:00.
Zidane nuk pret paraqitje të mirë të ekipit të tij vetëm në duelin e parë, por edhe në të dytin, i cili do të zhvillohet në Londër më 5 maj. Për ndeshjen me Chelsean te Reali do të jenë të gatshëm Eden Hazardi e Toni Kroosi, që janë rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe gjasat janë të mëdha që të aktivizohen prej minutës së parë.
Zidane ka pranuar se asnjëra prej ndeshjeve kundër Chelseat nuk janë të lehta, por insiston se ekipi i tij është përgatitur për këto duele dhe se do ta kërkojë finalen.
“Gjysmëfinalet gjithmonë janë të vështira, sepse je vetëm dy ndeshje larg finales. Mirëpo, ne jemi gati për këto duele dhe do të luftojmë prej fillimit për ta kërkuar fitoren si në duelin e parë, ashtu edhe në të dytin. Liga e Kampionëve është garë speciale dhe për këtë arsye ka një trajtim special nga ana e ekipit tonë. Besoj në një paraqitje të mirë jo vetëm në ndeshjen e parë, por në të dyja ndeshjet”, është shprehur Zidane, i cili ka konfirmuar mungesën e mbrojtësit Ferland Mendy.
“E kemi parasysh se Chelsea nuk do të qëndrojë prapa. Është një ekip i kompletuar që sulmon dhe mbrohet mirë. Ne duhet të jemi stabil, të krijojmë raste dhe t’i nxjerrim probleme Chelseat, sepse jemi vetëm dy ndeshje larg finales, të cilën e duam”.
Edhe qendërmbrojtësi i Real Madridit, Raphael Varane, ka konfirmuar fjalët e trajnerit Zidane në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën. Francezi ka thënë se pret që të gjithë lojtarët të japin maksimumin dhe të marrin rezultat pozitiv ndaj Chelseat.
“Jemi fokusuar për këto ndeshjet e fundit të sezonit. I kam fituar katër trofe të Championsit dhe dua ta fitoj edhe të pestin, pasi jemi afër. Mirëpo, për ta arritur këtë duhet të marrim rezultat pozitiv në ndeshjen që e kemi me Chelsean, një ekip i kompletuar”, është shprehur Varane.
Edhe skuadra e Chelseat pritet të jetë e kompletuar për këtë përballje. Sulmuesi i Chelseat, gjermani Timo Werner, është i vendosur për ta eliminuar Realin në gjysmëfinale. Werneri, i cili ka shënuar tri gola dhe ka bërë dy asistime në nëntë paraqitje në Champions këtë edicion, thotë se gjithmonë ka ëndërruar të luajë në finalen e kësaj gare. Ai insiston se tani është mundësia për ta realizuar atë.
“Jo vetëm unë, por i gjithë ekipi dëshiron që të kualifikohet në finale të Championsit. Jemi në gjysmëfinale dhe duhet vetëm edhe një hap tutje për ta prekur finalen, gjë që edhe është synimi ynë”, u shpreh Werneri, i cili beson se si në Madrid ashtu edhe në Londër, Chelsea do të marrë rezultate pozitive. “Përballë kemi një kundërshtar të fortë, por nëse angazhohemi si në ndeshjet ku eliminuam Porton e Atleticon, atëherë mund ta largojmë edhe Realin”.