Real Madridi dhe Barcelona do ta vazhdojnë luftën për kreun e tabelës edhe pas xhiros së nëntë në La Liga. Aktualisht, Reali është lider me 21 pikë, një më shumë se Barcelona që zë vendin e dytë dhe të dyja skuadrat presin fitore në duelet e vikendit. Real Madridi është favorit i madh përballë Osasunas në duelin që luhet të shtunën prej orës 16:15. Osasuna ka tri fitore këtë edicion në kampionat, por vështirë se do ta mund të befasojë Realin, i cili në mesjavë triumoi në udhëtim te Napoli në kuadër të Ligës së Kampionëve. Për dallim prej Realit që këtë xhiro luan në shtëpi, Barcelona do të jetë mysafire e skuadrës së Granadas. Barça është ekipi i vetëm pa humbje këtë edicion në Spanjë dhe pritet ta vazhdojë këtë ecuri duke pasur parasysh se Granda është e parafundit me vetëm pikë të mbledhura deri më tani. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 21:00 dhe e mbyll këtë xhiro në futbollin spanjoll.
Mallorca e Vedat Muriqit e pret në shtëpi Valencian të shtunën prej orës 18:30 dhe synon të vazhdojë me rezultate pozitive. Në dy ndeshjet e fundit, Mallorca ka arkëtuar dy pikë, ndërsa Valencia ka pësuar dy humbje. Te Mallorca edhe në këtë ndeshje do të mbështeten te Muriqi, i cili ka shënuar gola në katër duelet e fundit.
Përballje interesante e kësaj xhiroje, do të jetë edhe ajo ndërmjet Atletico Madridin e Real Sociedadit që zhvillohet të dielën prej orës 16:15. Si Atletico ashtu edhe Sociedadi, kanë treguar një formë të mirë këtë edicion dhe janë në mesin e ekipeve që po luftojnë për t’u futur në top-katërshe. Aktualisht, Atletico është i katërti në tabelë me 16 pikë dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar se Sociedadi që renditet i pesti me 15 pikë të mbledhura.