Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Reali dhe rivalët e presin shortin e Championsit

Fituesi i trofeut, Real Madridi, dhe pjesa tjetër e klubeve elitare të Evropës do të mund ta planifikojnë rrugën për të triumfuar në Ligën e Kampionëve për sezonin e ri pasi t’i mësojnë kundërshtarët e fazës së grupeve në Stamboll, të enjten. I gjithë plani, e gjithë rruga, do të përfundojë në qytetin turk më 10 qershor të vitit të ardhshëm me ndeshjen finale që do të luhet në “Ataturk Olympic Stadium”, vendin e njëjtë ku Liverpooli e mposhti Milanin pas penalltive në vitin 2005.

Stambolli ishte menduar të jetë nikoqir i finales në vitin 2020 dhe në vitin 2021, por në të dy rastet, UEFA i zhvendosi ndeshjet në Portugali për shkak të masave ndaj koronavirusit. Një tjetër ndryshim u bë sezonin e kaluar, kur Saint-Petersburgut iu hoq e drejta e organizimit të finales, pasi Rusia e pushtoi Ukrainën, dhe Parisi u bë nikoqir në finalen të cilën Real Madridi e fitoi 1:0 ndaj Liverpoolit. Gjiganti spanjoll tani është mbret i Evropës me 14 trofe, dy herë më shumë sesa skuadra tjetër më e suksesshme e garës, Milani, dhe sezonin e nisi duke fituar ndaj fituesit të Ligës së Evropës, Eintracht Frankfurtit, në Helsinki. Iu gëzua trofeut të Superkupës së Evropës.

“Gëzimi dhe kënaqësia që merr pas fitoreve të tilla të bën të ndihesh se askush tjetër nuk duhet ta marrë vendin tënd. Dhe ky është goxha një motivim i fortë për të vazhduar me fitore”, ka thënë Carlo Ancelotti.

Suksesi i tyre mund të njihet edhe diku tjetër, të enjten, me portierin Thibaut Courtois dhe sulmuesin Karim Benzema, që janë të nominuar me Kevin De Bruynen e Manchester Cityt, për çmimin e “Lojtarit Më Të Mirë” nga UEFA. Ancelotti është i nominuar bashkë me Pep Guardiolan e Cityt dhe Juergen Kloppin e Liverpoolit për trajnerin më të mirë.

Sa i përket shortit, Reali është në vazon e parë bashkë me kampionët e ligave elitare të Evropës, Cityn, Bayernin, Milanin, Paris Saint-Germainin, Porton dhe Ajaxin, si dhe me fituesin e Ligës së Evropës, Frankfurtin. Liverpooli do të jetë në vazon e dytë, që do të thotë se ka mundësi që të ketë një revansh me Realin. Chelsea, fitues në vitin 2021, dhe Tottenhami janë në mesin e skuadrave të tjera angleze.

Edhe Dy tituj të Evropës radhazi, PSG u bashkohet klubeve më të mëdha në histori Futboll 1 muaj më parë Dy tituj të Evropës radhazi, PSG u bashkohet klubeve më të mëdha në histori

Ndërkohë, Celticu do të jetë në vazon e katërt. Kjo skuadër rikthehet në Ligën e Kampionëve për herë të parë që prej vitit 2017. Klubet ruse janë të dënuara për shkak të luftës që po vazhdon, por Ukraina – ku këtë javë ka nisur kampionati vendor – do të përfaqësohet nga Shakhtar Donetsku. Dinamo Kievi, që luajti me Benfican në plejof, shpresonte që t’i bashkohej, por u mposht 5:0 me rezultat të përgjithshëm nga dy herë fituesi. Ajo që i pret klubet e përfshira janë dy muaj intensiv të garës, pasi Kupa e Botës në nëntor dhe dhjetor ka shtyrë UEFA-n t’i organizojë gjashtë ndeshje në hapësirën e nëntë javëve, duke filluar nga 6 shtatori. Do të ketë edhe pushim për shkak të përfaqësueseve dhe kërkesat nga lojtarët do të jenë më të mëdha se kurrë, por shpërblimet financiare do të jenë të mëdha për klubet. Anëtarëve të UEFA-s në korrik u është dërguar në detaje çmimi i parave për këtë sezon dhe skuadra që do të shkojë deri në finale e të triumfojë, do të arkëtojë rreth 90 milionë euro.

Në krye do të jenë paratë e ndara nga të drejtat televizive nga secili shtet, si dhe një shumë e parave varësisht nga pozita e skuadrës që bazohet në paraqitjet e dhjetë vjetëve të fundit. Kjo shumë nis me 1.137 milionë euro nga skuadra me pozitën më të ulët – që do të vijë nga fituesit e plejofit të kësaj jave – e deri në 36 milionë euro për Madridin, që e ka koeficientin më të mirë. Si pasojë, të pasurit do të bëhen edhe më të pasur, ndërsa numri potencial i fituesve mund të rritet si rezultat i kësaj. Shorti për Ligën e Evropës – në të cilën marrin pjesë skuadra si Manchester Unitedi, Arsenali dhe Roma – do të tërhiqet të premten, ndërsa shorti për Ligën e Konferencës, tërhiqet menjëherë pas tij.