Një finale e tretë e Ligës së Kampionëve brenda katër vjetëve dukej se ishte gati, por rikthimi i jashtëzakonshëm i vonshëm i Real Madridit kundër Manchester Cityt, të mërkurën mbrëma, ka krijuar një revansh mes klubit spanjoll dhe Liverpoolit në finalen që do të luhet në Paris më 28 maj, ka shkruar AFP të enjten.
Kampanja epike evropiane e Real Madridit arriti lartësi të reja teksa u rikthye vdekja kundër Cityt të Pep Guardiolas, për t’u kualifikuar në finale pas vazhdimeve me rezultatin e përgjithshëm 6:5. Për Realin, kalimi në finale të Championsit erdhi vetëm katër ditë pasi u konfirmua kampion i Spanjës për këtë sezon. Në fakt, Reali nuk bëri rikthim sensacional vetëm kundër Cityt, pasi edhe Paris Saint-Germainin e Chelsean i mposhti pothuajse në mënyrë të ngjashme në raundet paraprake.
Triumfi i jashtëzakonshëm i Real Madridit të mërkurën erdhi 24 orë pas fitores 3:2 të Liverpoolit te Villarreali, në të cilën ata u rikthyen nga disavantazhi prej dy golave për të avancuar në finale me rezultatin e përgjithshëm 5:2. Finalja në “Stade de France” do të jetë një përsëritje e shfaqjes së vitit 2018, kur dy golat mahnitës të uellsianit Gareth Bale siguruan një fitore 3:1 për Real Madridin në Kiev, duke i dhënë trofeun e 13-të të Evropës.
Shtatë anëtarë të ekipit të Realit që ishin të përfshirë në finalen e luajtur katër vjet më parë, u paraqitën gjithashtu kundër Cityt të mërkurën, ashtu si shtatë lojtarë të Liverpoolit të vitit 2018 në fitoren ndaj Villarrealit.
“Ne kemi një rezultat për të zgjidhur”, shkroi Mohamed Salah në Twitter, ndërsa sulmuesi i Liverpoolit nisi armiqësitë herët.
Kjo do të jetë finalja e tretë e Liverpoolit në pesë sezone, pasi ekipi anglez e fitoi kurorën e gjashtë evropiane në vitin 2019, duke mposhtur Tottenhamin me rezultatin 2:0 në Madrid. Një tjetër fitore në “Stade de France” do t'i bëjë ata ta barazojnë numrin e trofeve evropianë me Milanin, ekip që ka triumfuar shtatë herë. Vetëm Reali Madridi ka fituar më shumë në këtë garë. Në të vërtetë, Reali i ka fituar të shtatë paraqitjet e mëparshme finale në epokën e Ligës së Kampionëve, humbja e fundit në këtë fazë vjen në vitin 1981 kundër Liverpoolit dhe atë në Paris.
Tifozët e klubit nga “Anfield Road” mund të përpiqen ta shohin këtë si një ogur, duke kujtuar golin e vonshëm të Alan Kennedys në stadiumin “Parc des Princes” që i dha fitoren skuadrës së trajnerit Bob Paisley, pasi Liverpooli fitoi Kupën Evropiane për herë të tretë në pesë vjet. Deri në momentin që vjen finalja e këtij sezoni, Liverpooli mund të kërkojnë ta arrijë suksesin historik duke fituar katër trofetë. Liverpooli tashmë e ka fituar Kupën e Ligës, ka vetëm një pikë më pak se City në Premier League dhe është në finale të Kupës FA kundër Chelseat, ndeshje kjo që do të luhet më 14 maj.
Edhe
Çerekfinalja e Championsit: dy ndeshje të denja për finale
Reali dëshiron gjithashtu ta shkruajë historinë, sidoqoftë, ashtu si edhe Ancelotti, i cili fitoi dy herë Ligën e Kampionëve si trajner me Milanin dhe udhëhoqi Madridin drejt fitores në vitin 2014 gjatë periudhës së tij të parë në krye të ekipit nga “Santiago Bernabeu”. Ai ishte në krye të Milanit kur humbi në penallti nga Liverpooli në finalen e vitit 2005 në Stamboll, ku italianët nuk arritën ta mbajnë epërsinë 3:0 që e kishin krijuar në pjesën e parë. Megjithatë, Milani i Ancelottit u hakmor dy vjet më vonë kur mundi të kuqtë 2:1 në Athinë.
“Jam shumë i kënaqur që jam në një tjetër finale, sërish kundër Liverpoolit. Do të jetë finalja ime e tretë kundër tyre si trajner”, tha Ancelotti, i cili më parë ishte gjithashtu në krye të rivalit të madh të Liverpoolit, skuadrës së Evertonit. “Kam jetuar në Liverpool për dy vjet, kështu që ky është një derbi i rëndësishëm për mua”.
Ancelotti është barazuar me legjendën e Liverpoolit, Bob Paisleyn, dhe ish-trajnerin e Real Madridit, Zinedine Zidane, me tri Kupa Evropiane si trajner, por fitorja më 28 maj do ta bënte atë trajnerin e parë që e fiton këtë trofe katër herë. Ai u përball për herë të fundit me Liverpoolin gjatë periudhës së tij prej 18 muajve në krye të Evertonit, kohë në të cilën ai ishte i pamposhtur kundër ekipit të Juergen Kloppit në tri përballje në Premier League.