Drejtuesit e Real Madridit së shpejti pritet t’i nisin negociatat me brazilianin Vinicius Junior për t’ia rinovuar kontratën, raporton “Marca” të hënën.
Te Reali po duan ta mbajnë sa më gjatë Viniciusin në “Santiago Bernabeu” pas paraqitjeve të mira që ka treguar këtë edicion. Ai ka kontratë me Realin deri në vitin 2025, por klubi po synon t’ia rinovojë deri në vitin 2027 duke i ofruar kushte dukshëm më të mira. Aktualisht, Vinicusi ka pagë vjetore prej 3.5 milionë eurosh kurse me rinovimin e kontratës, ai pritet të marrë rreth dhjetë milionë euro në vit. 21-vjeçari po shkëlqen këtë edicion dhe është njëri prej lojtarëve kryesor të Realit.
Ai ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë pesë asistime në 14 paraqitje për madrilenët në të gjitha garat. Viniciusi iu bashkua Realit në vitin 2018 nga Flamengo për 45 milionë euro.