Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Reali befasohet nga vendimi i papritur i Zidanet

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez që u shfaq përkrah Zinedine Zidane në konferencën për media, ka thënë se vendimi për largim i trajnerit francez ishte i papritur.

Zidane ka falënderuar Perezin për mundësinë që ia ka dhënë për të luajtur dhe për ta drejtuar Realin, por ka thënë se ishte koha e duhur për t’u larguar.

“Kam marr vendim që të mos vazhdoj për sezonin e ardhshëm. Për mua dhe për të gjithë, mendoj se momenti për ndryshim ka arritur. Nuk ishte vendim i lehtë”, ka thënë Zidane.

Pasi fitoi Ligën e Kampionëve për herë të tretë me radhë, Perezi ka thënë se vendimi i Zidanet ishte i papritur.

“Ishte vendim i papritur. Është ditë e keqe për mua, fansat dhe lojtarët. Por ai e di se e doja si lojtar dhe si menaxher. Doja qëndrimin e tij të përjetshëm dhe doja që ta bind për qëndrim. Por e di se ky është vendimi përfundimtar. Dua t’ia kujtoj se ky klub është shtëpia dhe familja e tij”, ka thënë Perezi.

“Dje shkova në shtëpinë e tij që ta shihja nëse ishte i përgatitur. Ai më tha se është i bindur se donte largimin. Dua ta falënderoj për angazhimin dhe pasionin te Real Madridi. Sjellja e tij ka qenë shembull për të gjithë dhe përfaqësuese e Realit. Nuk dua t’i them lamtumirë por ‘shihemi së shpejti’. Nuk kam dyshim se do të kthehet”, ka thënë veç të tjerash Perez.