Sport

Real Sociedadit po i shpaguhet besimi te të rinjtë

San Sebastian, 29 dhjetor (BBC) – Janë të vendosura në bregdetin verior të Spanjës, janë klube rivale dhe kanë filozofi unike që i veçojnë nga pjesa tjetër e skuadrave nga La Liga.

Për Real Sociedadin, besimi në akademi po jep fryte. Kjo skuadër udhëton te Athletic Bilbao për derbin bask që luhet të enjten mbrëma, duke kërkuar të ringjallet në garën e vështirë për titullin e kampionit. Forma e skuadrës nga San Sebastiani ka rënë së fundi. Ekipi është larguar nga pozita e parë në tabelë pas një serie të gjatë pa fitore në dhjetor, që ka përfshirë humbjet nga Atletico Madridi dhe Barcelona. Megjithatë, Sociedadi mbetet në pozitat që sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve dhe tashmë ka tërhequr vëmendjen me stilin e lojës të bazuar në posedim të topit.

“Ne kemi një stil loje që favorizon skuadrën që kemi dhe u përshtatet të gjithëve”, shpjegon sulmuesi i krahut Mikel Oyarzabal. “Ajo që është më e rëndësishme është që kushdo që luan në ekip, e ka parasysh se çfarë duhet të bëjmë. Pra, të gjithë jemi të rëndësishëm”.

Kjo filozofi përshkon klubin i cili do të përballet me Manchester Unitedin në 1/16 e finales të Ligës së Evropës në fund të muajit shkurt. Megjithatë, e veçanta e Real Sociedadit është se ekipi i parë këtë sezon po ndihmohet nga 16 futbollistë që janë produkt i akademisë.

Talentet kanë mundësinë e tyre

Pak klube elitare të Evropës kanë vënë aq shumë theks në integrimin e lojtarëve të rinj në ekipin e parë të tyre sa Real Sociedadi, qasja unike e të cilit përfshin nënshkrimin e lojtarëve të akademisë që nga grupmosha U13. Drejtori i Akademisë së Sociedadit, Luki Iriarte, thotë se klubi dëshiron që të rinjtë “të kenë shansin të bëhen fëmijë së pari”, duke i lejuar ata të punojnë në sporte të ndryshme para se të angazhohen në futboll.

Klubi nuk beson në hyrjen nëpër turnetë e akademive shumë herët dhe mendon se qasja e tillë i lejon lojtarët të bëhen më fleksibil si individë. Qendra stërvitore moderne “Zubieta” e Real Sociedadit, e vendosur në fshatin Gipuzkoa, që gjendet 15 minuta jashtë San Sebastianit, është shtëpia e ekipit të parë dhe lojtarëve të rinj. Trajneri Imanol Alguacil është një produkt i “Zubietas”, duke luajtur më shumë se 100 ndeshje për ekipin e parë të klubit, ndërsa trajneri i ekipit të dytë Xabi Alonso gjithashtu e filloi karrierën e tij atje. Kjo strategji ka pasur sukses për fituesit e Kupës së Botës, Alonson dhe Antoine Griezmannin, i cili u bashkua me Sociedadin pasi nuk arriti të gjente një klub francez. Griezmann shënoi 52 gola për Sociedadin para se të largohej te Atletico Madridi në vitin 2014. Alonso i Spanjës gjithashtu lëvizi përpara, duke iu bashkuar Liverpoolit para se të fitonte trofe me Real Madridin dhe Bayern Munchenin. Mbrojtësi i Spanjës, Alvaro Odriozola është një tjetër që u bashkua me Real Madridin, ashtu si Asier Illarramendi, para se të kthehej në San Sebastian. Në fakt, Sociedadi nuk lejon që produktet e akademisë të dështojnë.

“Ne duam që çdo brez të jetë më i mirë se i fundit”, thotë Iriarte. “Ne jemi shumë të vetëdijshëm që duhet të kujdesemi për lojtarët tanë që nga dita e parë. Ne jemi të përkushtuar ndaj sistemit të të rinjve ku bazohet edhe filozofia jonë. Ne e dimë se nuk do të jemi gjithmonë në gjendje të mbajmë çdo lojtar që del nga akademia. Xabi Alonso për shembull u largua, Illarramendi u largua dhe u kthye, Xabi Prieto ishte në gjendje të qëndronte - ai kaloi gjithë karrierën e tij këtu në Real Sociedad dhe ne shpresojmë që edhe Oyarzabal të ndjekë rrugën e tij. Ai ka mundësinë të vazhdojë të rritet këtu.

Thyerja e traditës baske

Oyarzabal i Spanjës konsiderohet si produkti më emocionues i “Zubietas” që nga Griezmanni që është pjesë e Barcelonës. Ndërsa anësori 19-vjeçar Ander Barrenetxea - debutuesi më i ri i klubit në më shumë se 80 vjet - gjithashtu duket se do të ketë një të ardhme të madhe. I lindur në Eibar, në gjysmë të rrugës midis San Sebastianit dhe Bilbaos, 23-vjeçari Oyarzabal mbërriti në akademi nga klubi i qytetit të tij në vitin 2011 në moshën 14 vjeçe dhe debutoi me ekipin e parë katër vjet më vonë, kur trajner ishte David Moyesi. Drejtori sportiv, Roberto Olabe, një tjetër ish-lojtar i Sociedadit, ka plotësuar programin e suksesshëm të akademisë së klubit me rekrutime të zgjuara, si ai i David Silvas nga Manchester City që u bashkua si lojtar i lirë në fillim të këtij sezoni.

Shkëputja nga tradita e përdorimit vetëm të lojtarëve baskë në vitin 1989 ka lejuar Sociedadin që të forcojë skuadrën me talente nga jashtë rajonit. Rivali, Athletic Bilbao, i përmbahet këtij parimi, duke e bërë jetëgjatësinë e tij veçanërisht mbresëlënëse. Bilbao nuk ka rënë kurrë nga La Liga dhe vitin e ardhshëm do të përballet me Real Sociedadin në finalen e Kupës së Spanjës, që është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Një fokus në prodhimin e talenteve të rritur në shtëpi është pa dyshim më i rëndësishëm për Athletic Bilbaon sesa rivalin bask Sociedadin, për shkak të bazës së kufizuar nga mund të rekrutoj. Bilbaoi kaloi 884 ditë, midis gushtit 2015 dhe janarit 2018 pa bërë një transferim, duke i dhënë fund periudhës me transferimin e mbrojtësit Inigo Martinez nga Real Sociedadi. Ashtu si Sociedadi, edhe Bilbao krenohet me një akademi të klasit të lartë në Lezama dhe ka 16 të akademisë në ekipin e parë, por nuk ka arritur të mbajë disa nga lojtarët më të talentuar në sezonet e fundit, me mbrojtësin Aymeric Laporte që iu bashkua Manchester Cityt dhe portierin Kepa Arrizabalaga të transferuar te Chelsea.

“Asnjëherë nuk është e lehtë të sjellësh talente”, shpjegon ish-sulmuesi i Athletic Bilbaos, Aritz Aduriz, i cili filloi karrierën e tij në Lezama dhe luajti më shumë se 300 ndeshje gjatë tri periudhave të ndryshme përpara se të tërhiqet nga futbolli aktiv në fillim të këtij viti. “Bilbao ka mbi 120 vjet histori dhe kjo është tradita e klubit, duke sjellë lojtarë përmes akademisë ose rajonit, por që kanë rrënjë baske”.

Aduriz thotë se me pesë klube baske tani në La Liga, ka një konkurrencë të fortë për të rinjtë e talentuar, por sugjeron që ideja e përfaqësimit të Bilbaos u jep atyre avantazh.

“Skuadrat përreth nesh po forcohen gjatë gjithë kohës. Nuk është e lehtë të marrësh lojtarë nga klube të tjera”, shton 39-vjeçari. “Unë jam shumë krenar për mënyrën se si bëhen gjërat këtu. Unë gjithmonë përdor frazën ‘familje’ për ta përshkruar ekipin. Kjo fjalë është e integruar mirë me filozofinë e klubit”.