Sport

Reagon FHK-ja pas provokimeve të serbëve

Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK), ka reaguar të premten pas provokimit të tifozëve serbëve në ndeshjen e luajtur në Slloveni mes Gorenje Velenje dhe Partizanit, ky shfaqën flamurin provokues për të cilin FIFA e gjobiti ditë më parë Federatën e Futbollit të Serbisë.

Në fakt, presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, i ka shkruar letër Federatës Evropiane të Hendbollit dhe drejtuesve të saj.

Ai nëpërmjet letrës, ka shprehur shqetësimin për thirrjet anti-shqiptare dhe anti-Kosovë si dhe për panot diskriminuese të shfaqura në ndeshjen e fundjavës së kaluar. Në këtë ndeshje, që u luajt në Slloveni, kishte thirrje diskriminuese të tifozëve serbë e po ashtu u shfaq flamuri diskriminues i Serbisë mbi hartën e Kosovës.

Presidenti i FHK-së ka kërkuar nga EHF-ja që të merren të gjitha masat që raste të tilla mos të ketë në palestrat tjera.

“FHK-ja dënon ashpër një sjellje të tillë. I bëjmë thirrje të gjitha organeve përkatëse të EHF-së që të dënojnë dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme ndaj të gjithë protagonistëve në këtë ndeshje hendbolli në Velenje”, thuhet ndër të tjera në letrën e Saraçinit, që është publikuar në sajtin zyrtar të FHK-së.