Leeds Unitedi po e konsideron Raul Gonzalezin si trajner të ardhshëm të skuadrës, pasi e shkarkoi Marcelo Bielsan, ka shkruar të mërkurën “Marca”.
Gazeta spanjolle ka shkruar po ashtu se një lëvizje e tillë në klub është menduar menjëherë pasi i ndau rrugët me argjentinasin më 27 shkurt.
Real Madridi ka qenë i interesuar që ta bëjë Raulin trajner të ekipit të parë pas largimit të Zinedine Zidanet, por më pas u afrua Carlo Ancelotti nga Evertoni.
Schalke dhe Frankfurti po ashtu kanë shprehur interesim për teknikun spanjoll.
Raul si futbollist ka shënuar 324 gola në 741 paraqitje për madrilenët dhe fitoi gjithçka që është e mundur.
Ka realizuar 44 gola në 102 paraqitje për Përfaqësuesen e Spanjës.