Milot Rashica ka thënë se ai dhe shokët e skuadrës duhet të jenë të fokusuar njëqind për qind të shtunën, nëse dëshirojnë që të marrin rezultat pozitiv në stadiumin “Anfield”.
Skuadra e Rashicës, Norwichi, do të luajë kundër Liverpoolit, pas startit të mirë në vitin 2022. Norwichi ka marrë katër fitore nga gjashtë ndeshjet e para të këtij viti.
Por Norwichi u mposht në ndeshjen e fundit nga Manchester City në “Carrow Road” dhe marrë parasysh se kundërshtari i ardhshëm është i kalibrit të njëjtë, Rashica ka thënë se skuadra duhet të marrë mësime nga ajo ndeshje.
“E dimë se çfarë ekipi i fortë dhe i mirë është Manchester City, por mënyra se si i kemi pësuar disa gola nuk guxon të përsëritet. Ishin gola shumë të lehtë. Mendoj se ato ishin gabime tona”, ka thënë Rashica të premten për faqen zyrtare të klubit.
“Duhet të mësojmë nga ajo ndeshje dhe të vazhdojmë tutje, sepse e dimë që kundër Liverpoolit nëse bëjmë të tilla gabime, atëherë me siguri rivali do të shënojë gola. Kështu që ne duhet të jemi të fokusuar në të gjithë ndeshjen dhe të tentojmë ta mbrojmë portën me çdo gjë që kemi dhe të provojmë të shënojmë”, ka theksuar reprezentuesi i Kosovës.
Edhe
Norwichi nuk llogarit në Rashicën për ndeshjen e parë të Championshipit
Norwichi aktualisht është në vendin e 18-të në Premier League. Ka katër pikë më pak se vendi që ofron mbijetesën.
Kur kanë mbetur edhe 14 ndeshje deri në fund të këtij edicioni, Rashica thotë se është e rëndësishme që skuadra t’i qaset çdo ndeshjeje me mendësi pozitive.
“E dimë se sa e vështirë do të jetë ndeshja me Liverpoolin, por ne nuk dorëzohemi”, ka thënë ai. “Do të provojmë të shkojmë dhe të japim gjithçka, me shpresën se do të kthehemi në shtëpi me rezultat pozitiv. Nuk kemi çfarë të humbim, kështu që ne duhet të shkojmë në çdo ndeshje dhe të provojmë të fitojmë sa më shumë pikë që mundemi. Ne kemi treguar se mund ta bëjmë atë dhe kemi pasur disa ndeshje të mira edhe më parë. Mendoj se duhet vetëm të punojmë në këtë aspekt dhe ditët e mira do të vijnë”, u shpreh 25-vjeçari.
Rashica foli për sajtin zyrtar të klubit pasi dha disa nënshkrime në klubin e tifozëve në “London Street”. Ai ka thënë se ka mbetur shumë i kënaqur që i ka takuar tifozët dhe ka dhënë autografe për ata të cilët e kanë pritur ngrohtësisht, qëkur skuadra e transferoi nga Werder Bremeni në verën e kaluar. Emri i tij është thirrur shumë gjatë ndeshjeve.
“Ishte shumë mirë t’i shihja shumë njerëz që prisnin për autografe. E kemi pasur një pengesë përpara, kështu që nuk mundëm të qëndronim shumë afër njëri-tjetrit, por, megjithatë ne arritëm që të bënim disa fotografi të mira dhe të dhurojmë autografe dhe gjithçka shkoi mirë. Përkrahja e tifozëve është gjë shumë e madhe për mua dhe më motivon për të punuar dhe për të dhënë gjithçka për ta. Kështu që varet nga ne, lojtarët, të provojmë dhe të japim gjithçka për ta, sepse tifozët më të vërtetë e meritojnë një gjë të tillë”, deklaroi Rashica.
Edhe
Norwichi lë të hapur mundësinë e largimit të Rashicës
Rashica ende nuk ka shënuar në Premier League. Në 21 ndeshje në të gjitha garat e ka shënuar një gol dhe i ka dy asistime. Golin e ka shënuar në Kupën FA, ndërsa asistimet i realizoi në elitën e futbollit anglez.
Ndeshja Liverpool – Norwich zhvillohet prej orës 16:00.