Milot Rashica ishte prej më të mirëve në fushë, në fitoren që Kosova e shënoi në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Irlandës së Veriut, 3:2. Rashica e fitoi penalltinë në golin e parë të Vedat Muriqit, ndërsa asistoi në golin e dytë të cilin e realizoi Zymer Bytyqi.
Ai të shtunën ka thënë se do të mundohet të vazhdojë me paraqitje të tilla edhe në ndeshjet e radhës për Kosovën, duke nisur që nga dueli me Greqinë.
“Duke e parë rëndësinë e ndeshjes, shpresoj që kontributi im të ndikoj te golat. Besoj se ndeshja ime ndaj Irlandës së Veriut ishte më e mira në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Kemi shumë mungesa, por të gjithë lojtarët janë gati dhe do të japim maksimumin. Besoj që ka ardhur koha të bëjmë fitoren e parë ndaj Greqisë. Nëse dëshirojmë ta fitojmë ndeshjen, atëherë duhet të shënojmë gola. Shpresoj se do të krijojmë shumë raste dhe të shënojmë sa më shumë gola”, ka deklaruar Rashica në konferencën për shtyp të shtunën, një ditë para duelit me Greqinë.
Rashica ka thënë se në Greqi kanë udhëtuar për fitore.
“Siç e dimë është ndeshja e fundit e këtij grumbullimi dhe kjo ndeshje mund të përcaktojë gjithçka. Jemi të përgatitur për të dhënë maksimumin për ta fituar këtë ndeshje. Presim me qenë ndeshje shumë e vështirë dhe është një kundërshtar tjetër prej ndeshjes së kaluar. Por besoj që me motivimin dhe gjërat e mira që kemi bërë ndeshjen e kaluar t’i shfrytëzojmë. Kemi luajtur ndaj Greqisë dhe e dimë se si luajnë dhe shpresoj që të dielën të bëjmë shumë më mirë se në ndeshjen e fundit”, ka thënë ai.
Ndeshja me Greqinë mund të jetë vendimtare për fatin e grupit. Ka tre pikë më shumë se Kosova në vendin e parë.