Rapid Vjena ia ka vazhduar kontratën shqiptarit nga Gostivari, Adrian Hajdarit.
Hajdari të enjten nëshkroi kontratë të re me skuadrën austriake deri në verën e vitit 2024. Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të klubit.
20-vjeçari e ka mbajtur veshur fanellën e Rapidit që prej moshës 11-të vjeçare.
Futbollisti shqiptar e la ekipin e të rinjve SV Donau për Rapidin në vitin 2011-të, dhe ka luajtur nëpër të gjitha grupmoshat që atëherë. Në dhjetor të vitit 2019-të, Hajdari debutoi në futbollin profesionist në barazimin 2:2, në derbin e 330-të të Vjenës. Mbrojtësi i krahut të djathtë ka luajtur dy herë me skuadrën e parë.
Në edicionin aktual, Hajdari është paraqitur 22 herë te Rapidi II në rangun e dytë të futbollit austriak, pavarësisht moshës së re. Ai është një prej lojtarëve më të mirë të ekipit që drejtohet nga trajneri Franz Maresch. E ka një gol të shënuar e një asistim.
Edhe
Kontrata e re për Hajdarin, lajm i mirë edhe për Kosovën
“Jam shumë i lumtur për vazhdimin e kontratës dhe faleminderit të gjithë atyre që më kanë përkrahur deri tani. Rapidi është zemra dhe shpirti im. Fakti që kontrata ime është vazhduar, më jep motiv shtesë çdo ditë”, ka thënë Hajdari për faqen zyrtare të klubit pas vazhdimit të kontratës.
“Jam shumë krenar që një tjetër djalosh që është rritur këtu dëshiron të qëndrojë edhe më tutje me ne. Nëse vazhdon të punojë shumë dhe të arrijë potencialin me paraqitje për një kohë të gjatë, ai do të bëhet opsion serioz për rangun e parë të futbollit tonë. Sjellja e tij është shumë e mirë, ka cilësi të shkëlqyera dhe ne besojmë se ai do të arrijë hapat e radhës në muajt e ardhshëm”, ka thënë drejtori sportiv i klubit, Zoran Barishiq.