Ashtu si pritej, Albian Hajdari ka bërë hap të madh në karrierë. Mbrojtësi 22-vjeçar është transferuar të hënën nga Lugano e Zvicrës në klubin e Bundesligës gjermane, Hoffenheim. Bundesliga është njëra prej pesë ligave më cilësore në botë dhe dukshëm e nivelit më të lartë se elita helvetike.
Hajdari ishte prej mbrojtësve më të mirë në Zvicër dhe vlerësohet shpresë e përfaqësueses së këtij vendi. Është pritur të transferohej në Premier League, por megjithatë përfundoi në Bundesligë.
Te Hoffenheimi janë edhe Fisnik Asllani e Leon Avdullahu. Asllani është pjesë e Kosovës, ndërsa Avdullahu pritet të vendosë së shpejti për përfaqësuese.
Hoffenheimi vendosi për Hajdarin pas lëndimit serioz të Koki Machidas.
“Me Albianin e kemi siguruar lojtarin që përshtatet në mënyrë të përkryer me profilin tonë. Ai është i ri, luan me të majtën, ka stërvitur mirë dhe sjell përvojë nga liga zvicerane dhe futbolli evropian. Kemi përcjellë zhvillimin e Albianit për kohë të gjatë dhe jemi të lumtur që e kemi bindur atë në situatën aktuale”, ka thënë drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker.
Hajdari është zhvilluar te Baseli e Juventusi, ndërsa te Lugano është prej vitit 2022. Te Lugano në dy edicionet e fundit ishte prej lojtarëve më të rëndësishëm.
Ka luajtur për grupmoshat e reja të Zvicrës dhe tani llogaritet pjesë e përfaqësueses A. Ka debutuar në mars, në ndeshjen ndaj Luksemburgut.
“Mezi pres ta filloj sfidën te Hoffenheimi dhe në Bundesligën gjermane, njërën prej top-ligave evropiane”, ka thënë Hajdari. Ai ka treguar se bisedimet me drejtuesit e Hoffenheimit ishin shumë të mira.
“Synimi im është që tani të jap çdo gjë në fushën e lojës dhe të kontribuoj në realizimin e synimeve të klubit”, ka shtuar Hajdari.
Ai për Luganon i ka 110 paraqitje, ndërsa për Baselin nëntë. Në Superligën e Zvicrës i ka 91 paraqitje, ndërsa nga 11 i ka regjistruar në Ligën e Konferencës dhe në Kupën zvicerane.
Hoffenheimi e ka nisur mbarë edicionin e ri. Fitoi 4:0 ndaj Hansa Rostockut në ndeshjen për Kupë e më pas 2:1 ndaj Bayer Leverkusenit në udhëtim në ndeshjen hapëse të Bundesligës. Më 30 tetor Hoffenheimi e pret Eintracht Frankfurtin. Për Hajdarin mund të jetë ndeshje debutuese.
Për Luganon, largimi i Hajdarit do të jetë humbje e madhe. Por lojtari me rrënjë nga Kosova vlerësohet për potencialin që e ka dhe shpreson që Hoffenheimi të jetë vetëm stacion i tij drejt një klubi edhe më të madh.