Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ramos në qendër të akuzave për shkelje të protokollit anti-doping

Kapiteni dhe qendërmbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos është në qendër të më tepër kontraversiteteve, ndërsa “Football Leaks” ka bërë të ditur se mbrojtësi ka thyer për herë të dytë protokollin e anti-dopingut.

Gazeta gjermane “Der Spiegel” ka publikuar një raport të një kontrollori të dopingut pas fitores 2:1 të Realit ndaj Malagas në prill, ku Ramos kishte luajtur tërë ndeshjen, transmeton “Koha Ditore”.

Në raport shpjegohet se si Ramos 32-vjeçar kishte injoruar paralajmërimin e kontrollorit, ndërsa ky raport i është dërguar Real Madridit nga Agjencia Spanjolle e Anti-Dopingut (AEPSAD) më 21 shtator.

“Sportisti Sergio Ramos më pyeti nëse mund të bëjë një dush para se të bënte një test urine derisa skuadra e tij po priste të kthehej në Madrid. I thashë se rregulloret e AEPSAD-it nuk lejojnë këtë. Sportisti shprehi mospajtimin e tij, së bashku me mjekun e Realit. Më thanë se lojtarët e Real Madridit lejohen të bëjnë dush vetë në ndeshjet e UEFA-s dhe madje edhe në ato të La Ligas. Unë i thashë se nuk mund t'i jap leje të bënte dush. Por lojtari injoroi paralajmërimin tim dhe bëri dush në prezencën time në dhomën e kontrollit të stadiumit të Malagas. Unë i thashë se do ta përmend në raport, por ai nuk u brengos shumë”, është shkruar në raportin e kontrollorit.

(Artikullin e plotë lexoni sot në “Koha Ditore”)