Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Raketat” e Houstonit ndalin serinë e fitoreve të Blazzers

Ndeshja kryesore e mbrëmjes i ka takuar skuadrës nga Teksasi.

Ndalet një ecuri fantastike e Portland Trail Blazzers në NBA dhe kjo vjen nga skuadra më e mirë e këtij sezoni. Përfundoi me fitoren 115:111 të Rockets që regjistruan suksesin e 57-të sezonal duke blinduar vendin e parë në Konferencën e Perëndimit.

Në Moda Center, Blazzers nuk mund të zgjasnin serinë prej 13 fitoresh rresht dhe u dorëzuan përballë James Harden me shokë.

Meritat më të mëdha për këtë fitore i ka pikërisht Harden që pati një paraqitje të shkëlqyer duke e mbyllur ndeshjen me 42 pikë, 7 asistime dhe 6 kërcime.

Një spektakël i vërtetë u zhvillua edhe në TD Garden të Bostonit aty ku Oklahoma City Thunder nuk ia doli të fitonte ndaj ekipit vendas përkundër paraqitjes shumë të mirë të Rusell Westbrook me 27 pikë dhe 24 të tjera të Paul George.

Ndonëse pa Kyrie Irving, skuadra më e titulluar e NBA-së triumfoi me rezultatin e ngushtë 100:99. Vendosi gjithçka gjuajtja e saktë për tre pikë e Marcus Morris, 1,2 sekonda përpara fundit ku Bostoni arriti të rikthente rezultatin në favor ndaj Oklahomës. Ndërkohë që në mungesë të Iriving më i miri mbi parket për 17-herë kampionët e NBA-së ishte Jayson Tatum me 23 pikë.

U rikthye te fitorja edhe Toronto Raptors që mposhti një nga skuadrat më të dobëta të këtij sezoni.

Në Florida, Orlando Magic nuk pati forcë për t’u përballur me ekipin nga Kanadaja të cilët triumfuan me shifrat 93:86 për meritë edhe të Kyle Lowryit, i cili realizoi 25 pikë.

Një fitore shumë të rëndësishme për objektivin play-off siguroi Minesotta Timberwolves që pas dy humbjesh rresht u rikthye te fitorja pasi mposhti Los Angeles Clippers me shifrat 123:109.

Për të pakësuar akoma më shumë shanset e kalifornianëve mendoi treshja, Karl Anthony Towns-Andrew Wiggins-Jeff Teague. I pari realizoi 30 pikë, Wiggins shtoi 27 pikë ndërsa Teague e mbylli ndeshjen me 20 pikë.

Artikuj të ngjashëm