Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rahoveci siguron vendin e tretë

Rahoveci ka fituar përballjen ndaj Trepçës për të siguruar pozitën e tretë për plejofin e IP Superligës së Kosovës në basketboll.

Në kuadër të javës së parafundit (27), Rahoveci të dielën në Gjakovë fitoi ndaj Trepçës me shifrat 86:79. Rahoveci është i treti me 43 pikë, ndërsa Golden Eagle Ylli i katërti me 41.

Trepça mbetet jashtë plejofit, me 39 pikë në vendin e pestë. Po të dielën u luajt ndeshja mes Pejës dhe Golden Eagle Yllit, shkruan sot “Koha Ditore”. Peja shënoi fitore të befasishme me shifrat 93:88. Peja është e shtata me 34 pikë, sa i ka edhe Borea në vendin e gjashtë.

Njëra prej këtyre dy skuadrave do të luajë në barazh. Nga elita largohet Kerasan Prishtina. Sigal Prishtina starton në plejof nga pozita e parë, ndërsa Bashkimi nga e dyta.

Të premten Sigal Prishtina fitoi ndaj Boreas me rezultat 98:65, kurse të martën luhet ndeshja mes Bashkimit e Kerasan Prishtinës.