Rahoveci vazhdon të synojë pozitën e dytë në Superligën e Kosovës në basketboll. Për t'iu afruar realizimit të këtij synimi, skuadra e Bujar Locit duhet të fitojë derbin e xhiros së 23-të.
Është kampioni aktual, Bashkimi, që e pret Rahovecin të shtunën (sot, 19:00) në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Rahoveci është i treti me 36 pikë, një më pak se Golden Eagle Ylli që mban vendin e dytë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Bashkimi është i pesti me 33 pikë dhe synon po ashtu fitore për të rritur gjasat që të ngrihet në vend të katërt. Për plejof, pozita sa më e mirë në klasifikim krijon favore. Këtë edicion plejofi fillon prej fazës çerekfinale. Fillimisht luajnë i treti me të gjashtin dhe i katërti me të pestin. Më pas i pari dhe i dyti bashkohen në fazën gjysmëfinale.
“Jemi duke u përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. E dimë që nuk do të jetë lehtë për ne, ndërkohë që na kryen punë vetëm fitorja. Ne e synojmë pozitën e dytë dhe do të mundohemi të fitojmë shumicën e lojërave të mbetura për të arritur synimin që kemi”, ka thënë basketbollisti i Rahovecit, Arian Qallaku.
Rahoveci ka fituar dy ndeshjet e kaluara, por nuk kishte përballë konkurrent direkt. Ka fituar në shtëpi, me përkrahje të madhe të tifozëve, ndaj Lipjanit e AFK Boreas.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)