Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Qeveria konfirmon se Premier League mund të rifillojë në qershor

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka hapur dyert për kthim të futbollit profesionist në Angli në qershor, ka thënë Sekretari për Kulturë, raporton BBC.

Oliver Dowden ka thënë se takimi i së enjten me Federatën e Futbollit, Premier Leaguen dhe Ligën e Futbollit Anglez ishte pozitiv dhe se kanë avancuar planet për të rikthyer sportin.

Ai ka thënë se planet duhet të përfshijnë zgjerimin e qasjes së tifozëve ndaj ndeshjeve të transmetuara dhe të sigurohet që financat të mbështesin familjen më të gjerë të futbollit.

Premier League takohet të hënën për të diskutuar “Projektin Rifillimi” dhe shpreson për një rikthim më 12 qershor. Ndeshjet do të luhen pa shikues.

“Ne të gjithë jemi pajtuar se do të shkojmë përpara vetëm nëse është e sigurt për të bërë këtë dhe se shëndeti i lojtarëve, trajnerëve dhe stafit ka prioritet”, ka thënë Dowden.

“Tani është te autoritetet e futbollit për të arritur marrëveshje dhe për të finalizuar detajet e planeve të tyre. Ka vullnet për të arritur këtë për tifozët, për komunitetin e futbollit dhe për vendin në përgjithësi. Qeveria dhe ekspertët tanë mjekësore do të vazhdojnë të ofrojnë këshilla dhe përkrahje për lojën”.