Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Qeveria e Gjibraltarit: Ndeshjen Lincoln-Prishtina e anuloi UEFA

Qeveria e Gjibraltarit ka konfirmuar të shtunën në mbrëmje se ishte UEFA ajo që mori vendimin për anulimin e ndeshjes mes Lincolnit e Prishtinës në fazën parakualifikuese për Ligën e Evropës, pasi tetë futbollistë të Prishtinës rezultuan pozitivë në testet për COVID-19.

Në një sqarim pas anulimit të ndeshjes, Qeveria e Gjibraltarit ka thënë se bazuar në rregullat ndërkombëtare, rregulli për izolim është i qartë dhe vlen për ata që kanë rezultuar pozitivë dhe që kanë qenë në kontakt me rastet pozitive.

Kjo qeveri ka thënë se, si vend nikoqir, ka informuar autoritetet e UEFA-s se bazuar në këto rregulla, ekipi mysafir duhet të vetizolohet “dhe për këtë arsye, UEFA ka vendosur që ndeshja të mos zhvillohej”.

“Nuk do të ishte e përgjegjshme ose në përputhshmëri me rregullat e pranuara ndërkombëtarisht për izolimin për ata që kanë rezultuar pozitivë (ose ata që kanë qenë në kontakt të afërt me ta), që autoritetet e Gjibraltarit t’u jepnin leje anëtarëve të Prishtinës që nuk kanë rezultuar pozitivë të jenë në kontakt me të tjerët sot. Siguria është primare”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Gjibraltarit.

Në reagim tutje theksohet se për të gjitha çështjet tjera sa i përket ndeshjes, përgjegjësia i mbetet UEFA-s. Kjo qeveri ka shtuar se po mbledh informata se me kë kanë pasur kontakt lojtarët e Prishtinës për të parandaluar shpërndarjen e virusit.

Kjo s’ishte hera e parë që ndeshja Lincoln-Prishtina u anulua. Fillimisht takimi ishte paraparë të zhvillohej në mesjavë, por ishte shtyrë pasi tetë futbollistë të Prishtinës rezultuan pozitivë për koronavirus. Fituesi i Kupës së Kosovës ndërroi tërësisht skuadrën në tentativën që të zhvillohej ndeshja dhe me futbollistë të tjerë u nis drejt Gjibraltarit me skuadër të përbërë nga futbollistë të ekipeve tjera kosovare. Në testimet e reja, sërish tetë futbollistë rezultuan pozitivë.

Prishtina ka hedhur dyshime në testet në Gjibraltar, ndërsa nga UEFA ende s’ka ndonjë njoftim zyrtar se çka do të ndodhë me këtë ndeshje.

Artikuj të ngjashëm