Sport

Prishtina deshi të luante në Ligën e Evropës me futbollist që rezultoi pozitiv për COVID-19 dhe pa zëvendësime

Në njoftimin për anulimin e ndeshjes me Lincolnin në Ligën e Evropës, klubi i futbollit Prishtina është shprehur i habitur me testimet për koronavirus në Gjibraltar, teksa në shpjegim ka thënë se ka kërkuar të luante me futbollist që rezultoi pozitiv, si dhe pa zëvendësime fare.

Klubi kryeqytetas ishte paraparë të luante të shtunën ndeshjen në fazën parakualifikuese të Ligës së Evropës, por pasi tetë futbollistë rezultuan pozitivë në testet për COVID-19, ndeshja u anulua. Prishtina ka thënë se vendimi për anulim të takimit u mor nga autoritetet shtetërore të Gjibraltarit dhe jo nga UEFA.

Në sqarimin e klubit në faqen zyrtare në Facebook bëhet e ditur se Prishtina ka synuar të luante me vetëm 11 futbollistë, pra pa asnjë zëvendësues, edhe pse rregullorja e UEFA-s kërkon që të jenë minimalisht 13 futbollistë në dispozicion. Po ashtu është përmendur se në mesin e 11 futbollistëve ishte përfshirë një që kishte rezultuar sot pozitiv në testim.

“FC Prishtina, ka dërguar në UEFA edhe formacionin e mundshëm startues, pjesë e të cilit kanë qenë 10 futbollistë që kanë testuar negativ dhe 1 që sot ka testuar pozitiv, por që paraprakisht e ka kaluar COVID-19, para rreth 1 muaji, duke e bërë kështu shumë të çuditshëm testimin në Gjibraltar. Klubi ka shprehur gatishmërinë në UEFA që ndeshjen ta zhvillojë edhe pa zëvendësime, përkatësisht pa përfshirjen në lojë të asnjërit prej 7 futbollisteve tjerë që testuan sot pozitiv”, ka njoftuar klubi nga kryeqyteti.

Tutje Prishtina ka thënë se të gjithë futbollistët që kanë rezultuar pozitivë në Gjibraltar, me t’u kthyer në Kosovë, do të dërgohen për testime.

Fillimisht takimi i Prishtinës me Lincolnin ishte paraparë të zhvillohej në mesjavë, por ishte shtyrë pasi tetë futbollistë të Prishtinës rezultuan pozitivë për koronavirus. Fituesi i Kupës së Kosovës ndërroi tërësisht skuadrën dhe me futbollistë të tjerë u nis drejt Gjibraltarit me skuadër të përbërë nga futbollistë të ekipeve tjera kosovare. Në testimet e reja, sërish tetë futbollistë rezultuan pozitivë.

Tash për ndeshjen pritet një vendim i UEFA-s.