Sport

“Qendra Nacionale” nuk është ajo që ishte premtuar fillimisht

Kosova po bëhet me Qendrën Nacionale të Xhudos.

Ky është njoftimi që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka lëshuar të enjten.

“Këtë do ta mundësojë memorandumi i bashkëpunimit që kanë nënshkruar sot Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka. Qëllimi i memorandumit është bashkëfinancimi në realizimin e projektit ‘Ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë’ i cili do të realizohet gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm, me një shumë të përgjithshme prej 460 mijë euro, nga të cilat MKRS-ja ndan mbi 300 mijë euro, ndërsa FXHK-ja di të ndajë 160 mijë euro për këtë projekt”, thuhet në njoftim.

Premtimet e planet për Qendrën Nacionale të xhudos kanë nisur të paktën katër vjet më parë. Madje Qendra është dashur të jetë e përfunduar shumë vite më parë. Sipas planit fillestar, Qendra Nacionale është dashur të jetë dukshëm më e madhe se kjo që do të ndërtohet tani. Është pritur të jetë një kompleks stërvitor në qytetin e Pejës. Ishte bërë edhe plani ideor, ndërsa objekti është pritur të kushtojë 1,5 milionë euro. Pra mbi një milionë më tepër se që do të kushtojë Qendra e re. MKRS-ja në njoftim nuk ka përmendur dështimet e kaluara. Por në faqen zyrtare të saj janë disa njoftime lidhur me atë objekt, që vazhdon të jetë në letër.

Një prej njoftimeve ishte dhënë më 3 shkurt të vitit 2017. Edhe atëherë ishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Pejës me qëllim “Ndërtimin e Palestrës Nacionale të xhudos në Pejë”, në të cilin projekt do të investohen 1 milion e 500 mijë euro.

“Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala u shpreh se ky lajm është jashtëzakonisht i rëndësishëm për xhudon dhe për Kosovën, për faktin se ky sport, i cili tanimë ka shënuar suksese të jashtëzakonshme ndërkombëtare, me të cilat krenohet Kosova, po bëhet me objekt modern, për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve sportive”, thuhet në njoftimin e MKRS-së të 3 shkurtit të vitit 2017.

Në bazë të planeve që tashmë janë të dështuara, Qendra tani është dashur të jetë gati dhe të jetë strehë e dhjetëra xhudistëve nga mbarë Kosova.

Në të vërtetë dështimi i shtetit për të ndërtuar qendrën vlerësohet se i ka kushtuar shumë vendit në aspektin sportiv. Në Qendër është dashur të grumbullohen xhudistët më të mirë të vendit, që do të ushtronin nën urdhrat e trajnerit Driton Kuka. Puna nën drejtimin e tij vlerësohet se rrit shumë gjasat për dalje në nivel të lartë. Kjo në mungesë të qendrës nuk ka qenë e mundur deri më tani, raporton Koha.net.

Për projektin e ri të Qendrës Nacionale, MKRS-ja dhe FXHK-ja nuk kanë dhënë informata të enjten. Por në fillim të vitit KOHA ka shkruar se Federata e Xhudos ka punuar projektin për të mbuluar dështimin e institucioneve të vendit rreth krijimit të kushteve për sportist. Ishte bërë e ditur se afër palestrës aktuale të klubit Ippon do të ndërtohet palestra e re, që besohet të jetë prezantuar tani si Qendra Nacionale. Bëhet fjalë për një sallë të madhe që plotëson kushtet për stërvitje të një numri më të madh të garuesve. Palestra aktuale nuk plotëson kërkesat pasi është e vogël ndërkohë që numri i garuesve po rritet vazhdimisht.

Por palestra nuk do të ketë objekte përcjellëse, që parashikoheshin në projektin e parë. Në bazë të Memorandumit të vitit 2017, Qendra Nacionale është dashur të ndërtohet deri në vitin 2018. Por kanë dalë shumë telashe, ndër të tjera me lokacionin dhe projekti ka dështuar.

Tani, në bazë të njoftimit të lëshuar të enjten, Qendra Nacionale e Xhudos do të ndërtohet deri në vitin e ardhshëm.