Sport

“Shtëpia e kampionëve” përurohet më 28 shtator

Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, flet me krenari për punët që janë bërë në Qendrën Nacionale të Xhudos. “Shtëpia e re e kampionëve” është në prag të kompletimit. Kanë mbetur fare pak punë deri në përfundimin e saj.

Dhe tashmë është caktuar data e përurimit të sallës së re të xhudos në Pejë. Përurimi i objektit që i kushtohet vetëm sportit të xhudos do të bëhet më 28 shtator të këtij viti. I pranishëm do të jetë presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), Marius Vizer dhe shumë të ftuar të tjerë. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe drejtuesit shtetërorë të Kosovës e Shqipërisë.

Qendra Nacionale e Xhudos është ndërtuar në Pejë, në lagjen “Asllan Çeshme”, më lart se salla aktuale e klubit “Ippon”, ku ushtron ekipi i Kosovës në xhudo. Salla e “Ipponit” do të vazhdojë të funksionojë, por në të kryesisht do të ushtrojnë fëmijët. Ndërsa xhudistët elitarë, duke përfshirë dy kampionet olimpike, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, nga muaji i ardhshëm do të barten në Qendrën Nacionale.

“Qendra Nacionale e Xhudos i plotëson të gjitha kërkesat për punë profesionale. Ka hapësirë të mjaftueshme, ashtu si ka kërkuar trajneri Driton Kuka. Ka edhe hapësirat përcjellëse, zhveshtoret, një tribunë të vogël, zyrën e trajnerit, dhomën e masazhit dhe nga një zyrë për të parin e federatës dhe për sekretarin e federatës. Do të jetë shumë funksionale dhe me shumë rëndësi për xhudon tonë’, ka thënë Agron Kuka për KOHËN.

I pari i FXHK-së ka treguar se punët e mëdha janë kryer, ndërsa po punohet maksimalisht për ta përfunduar objektin dhe hapësirën rreth tij.

Në prill të vitit të kaluar ka nisur ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos.

Image

Në të vërtetë për Qendrën Nacionale ka shumë vjet që flitet. Ishte planifikuar ndërtimi i Qendrës në brendi të qytetit të Pejës, ndërsa objekti pritej të ishte i madh dhe me shumë hapësira përcjellëse. Ai projekt dështoi dhe kështu u vendos për një objekt më të vogël, por funksional.

Ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos kushton afro 600 mijë euro. 300 mijë euro i ka ndarë Ministria për Kulturë, Rinisë dhe Sport. Rreth 165 mijë euro i ka ndarë Federata Ndërkombëtare e Xhudos, ndërsa pjesën tjetër Federata e Xhudos së Kosovës.

Mbikëqyrjen e punimeve e ka bërë Federata e Xhudos së Kosovës, ndërsa edhe materiali është përzgjedhur nga drejtues të saj. Objekti gjithsej i ka 700 metra katrorë.

“Janë 400 metra tatami, pra hapësirë për luftë. Pra në sallë mund të zhvillohen nga disa luftëra në të njëjtën kohë. E kam fjalën për luftëra me gjyqtarë. Na është dashur Qendra për stërvitje të mirëfillta, pasi numri i xhudistëve elitarë është rritur shumë. Dhe salla që e kemi as për së afërmi nuk plotëson kërkesat, që po shkojnë duke u rritur. Me Qendrën Nacionale do t’i kemi kushtet për stërvitje të nivelit të lartë dhe hapëisrë të mjaftueshme për të gjithë. Planifikohen edhe stërvitje nacionale, pra me xhudistë nga i gjithë vendi”, ka treguar Agron Kuka.

Është hapur edhe një rrugë alternative që dërgon te Qendra Nacionale, që gjendet në lartësi dhe prej së cilës pamja është shumë e mirë. Ka gjasë që për ta nderuar mikun e madh të xhudos kosovare, rruga që është pranë përfundimit të emërohet Marius Vizer.

Vizer ka hapur dyert ndërkombëtare për xhudon kosovare dhe ka udhëhequr procesin e pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ai ka ndihmuar vazhdimisht zhvillimin e xhudos kosovare dhe ka ndihmuar shumë edhe në hapjen e Qendrës Nacionale të Xhudos.