Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova së shpejti me Qendrën Nacionale të Xhudos

Foto: MKRS


Kosova së shpejti do të bëhet me Qendrën Nacionale të Xhudos. Të enjten është nënshtruar memorandumi i bashkëpunimit mes ministres në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe kryetarit të Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka. 

Qëllimi i memorandumit të bashkëpunimit është bashkëfinancimi në realizimin e projektit “Ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë”, që do të realizohet gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm, me një shumë të përgjithshme prej 460 mijë euro. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndajë mbi 300 mijë euro, ndërsa Federata e Xhudos së Kosovës 160 mijë euro. 

“Me nënshkrimin e këtij memorandumi, ne sot kemi nisur konkretisht realizimin e një projekti të madh dhe me rëndësi jo vetëm për xhudistët dhe sportin, por edhe për vendin tonë në përgjithësi, sepse përpos rolit praktik që do të ketë Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, ajo do të jetë edhe një imazh në arenën ndërkombëtare për Kosovën, sepse sporti i xhudos ka ndikuar shumë në afirmimin e vendit tonë. Kjo qendër do të jetë edhe një vatër për sportistët që do të vijnë në të ardhmen dhe do të jetë edhe një destinacion për vizitorët e huaj, që janë të interesuar për suksesin dhe historikun e xhudos në vendin tonë”, ka thënë ministrja në detyrë Vlora Dumoshi.