Qendra greke Rafail Tsourakis është përforcimi më i ri i huaj te skuadra e Rahovecit për edicionin e ri.
Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë klubi përmes një postimi në Facebook, transmeton Koha.net. Tsourakis është përforcimi i tretë me radhë i huaj për nënkampionin e Kosovës në basketboll.
Kujtojmë se përforcimi i parë i huaj për “vreshtarët” ishte alo-qendra kroate Jure Gunjina (204 cm) dhe përforcimi i dytë ishte amerikani Justin Gray (198 cm), 24 vjeç, i cili ka luajtur në Angli tek Bristol Flyers. Po ashtu, edhe plejmekeri Leonard Mekaj, i cili në edicionin e fundit ka qenë pjesë e Golden Eagle Yllit, është konfirmuar te Rahoveci.
Pos përforcimeve, pjesë e Rahovecit kanë mbetur lojtarët Rron Grapci, Arian Qallaku e Atik Koshi. Ata i kanë vazhduar kontratat. Te Rahoveci pritet të jenë pesë lojtarë të huaj dhe sipas kryetarit Alban Rama, ekipi në edicionin e ri do të futet me synime të mëdha.