Qendra Andrew Gordon do të jetë pjesë e KB Trepçës edhe për sezonin 2022/23. Klubi nga Mitrovica, të hënën e ka zyrtarizuar arritjen e marrëveshjes me Gordonin. Gordon (208 cm) është pajtuar ta bartë fanellën e Trepçës edhe për një vit.
Në sezonin e fundit, Gordon u paraqit në 35 ndeshje kampionale për Trepçën dhe luajti me një mesatare prej 11.1 pikëve dhe 8.6 kërcimeve për ndeshje. Para Gordonit, Trepça ka vazhduar bashkëpunimin edhe me Drilon Hajrizin, Amin Hotin, Valdrin Haxhiun e Samir Zekiqin.
Ndërsa, ka transferuar edhe amerikanët Jahsim Floyd e Clevon Broën, si dhe vendorët Erjon Kastrati e Mikaile Tmushiq.
Në krye të ekipit edhe sezonin e ri do të jetë trajneri nga Bullgaria, Lubomir Minchev. Nën drejtimin e Minchevit, Trepça sezonin e fundit e fitoi Kupën e Kosovës, si dhe arriti në finalen e plejofit dhe të Superkupës. Në sezonin e ri, Trepça do të paraqitet edhe në FIBA Europe Cup.