Gazeta e madhe franceze “Le Parisien” të hënën ka zbuluar pagën astronomike që Kylian Mbappe e merr pas nënshkrimit të kontratës së re me PSG-në. Gazeta franceze raporton se Mbappe përfiton 630 milionë euro bruto për tre vjet.
Sipas gazetës franceze, Mbappe ka nënshkruar kontratën më të madhe ndonjëherë në histori të sportit. “Le Parisien” ka raportuar nga burime të afërta me futbollistin se paga vjetore e yllit francez llogaritet të jetë 72 milionë euro, plus bonusi i nënshkrimit prej 180 milionë eurosh. Përveç kësaj, kontrata përmban një bonus besnikërie që rritet në rreth 90 milionë euro në vitin e tretë të kontratës.
23-vjeçari ka kontratë dyvjeçare me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër me PSG-në. Mbappe nuk ka komentuar pagën që merr te PSG-ja. Ai ka kaluar Lionel Messin, që raportohet se përfitoi 555 milionë euro bruto gjatë katër vjetëve në Barcelonë midis 2017 dhe 2021.