Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

PSG – City, spektakli i së mërkurës mbrëma

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Mauricio Pochettino, ka thënë se gjymsëfinalja e parë e së mërkurës në Ligën e Kampionëve me Manchester Cityn, nuk do të jetë luftë personale me Pep Guardiolën.

Pochettino në vitin 2019 e kishte mposhtur Cityn e Guardiolës në çerekfinale të garës. Që të dy patën shumë ballafaqime edhe në Premier League, para se Tottenhami ta shkarkonte Pochettinon.

“Nuk është luftë personale, nuk është ndeshje personale”, ka thënë Pochettino. “Është një luftë ndërmjet dy ekipeve shumë të mira. Kur flisni për Pep Guardiolën, ju flisni për njërin prej trajnerëve më të mirë në botë, nëse jo më i miri. Më pëlqen Pep jo vetëm për titujt por edhe për atë që po ndërton në futboll”, ka theksuar Pochettino.

Guardiola nga ana tjetër e ka udhëhequr Cityn drejt gjysmëfinales së garës për herën e parë qëkur e mori drejtimin e skuadrës në vitin 2016. Ai do të ballafaqohet me finalistin e edicionit të kaluar, që në këtë edicion e mposhti Barcelonën dhe kampionin në fuqi, Bayern Munichun. Guardiola beson se përballja me PSG-në i ofron ekipit të tij shansin për ta treguar se është prej më të mirëve në Evropë.

“Nuk jemi në majë të kësaj gare, por dëshirojmë të jemi aty natyrisht. Premier League është prej më të rëndësishmëve, por mendoj se Liga e Kampionëve është më e këndshmja”, ka thënë Guardiola para ndeshjes.

City i ka humbur dy nga pesë ndeshjet e kaluara në të gjitha garat, ndërsa i ka fituar tri në total. Ka formë të shkëlqyer në ndeshjet si mysafir, duke i fituar 17 prej tyre. Nga ana tjetër, francezët e PSG-së i kanë fituar 19 nga 25 takimet e fundit në të gjitha garat, me 59 gola të shënuar e 21 të pranuar. Kylian Mbappe ka realizuar 19 gola në 14 paraqitjet e fundit me PSG-në. Pochettino dhe Guardiola janë takuar 18 herë si trajnerë. Trajneri i PSG-së i ka fituar vetëm tri duele, ndërsa Guardiola 10 gjithsej.