Sport

Prishtina nuk i hapi dyert për shikues nga frika se mund të dënohet nga UEFA

Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, luajti pa shikues të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër kampionit të Hungarisë, Ferencvaroshit. Prishtina me disfatën e dytë 3:1 nga hungarezët u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndeshjen e parë e humbi 3:0 në Budapest. Por, ndryshe do të jetë të enjten mbrëma, kur Llapi do ta presë Shkupin në ndeshjen kthyese të Ligës së Konferencës. Tribuna e stadiumit në Prishtinë do të jetë e hapur për shikues e do të jetë edhe hera e parë pas më shumë se një viti e gjysmë që kjo gjë ndodh. Në bazë të një vendimi të mëhershëm nga qeveria e vendit, është lejuar vetëm 15 për qind e kapacitetit të stadiumit të ketë prani të shikuesve, ndërsa të mërkurën Qeveria mori vendim për lejimin e 30 për qind të shikuesve në stadiume e hapësira të jashtme. Por, këtë mundësi nuk e shfrytëzoi Prishtina, e më herët as Drita. Te Prishtina thonë se janë frikësuar se mund të kenë ndonjë penalizim nga UEFA, ndërsa te Llapi thonë se është dashur të shfrytëzohej 50 për qind e kapacitetit të stadiumeve. Kryetari i klubit Prishtina, Remzi Ejupi, ka kritikuar institucionet e vendit që nuk kanë dhënë informacione dhe ndihmë për ta organizuar me shikues ndeshjen kthyese ndaj Ferencvaroshit.

“Edicionin e kaluar jemi djegur dhe nuk kemi dashur të rrezikojmë dhe të bëjmë ndonjë gabim e të penalizohemi, sepse dëmet janë shumë të mëdha. Kemi marrë vërejtje nga UEFA shkaku i lëshimeve në protokollin e udhëtimit, testeve dhe gjërave tjera. Dhe, për të mos pasur sërish vërejtje, ne nuk kemi dashur të rrezikojmë. Dëshira jonë e madhe është të kemi shikues, pasi futbolli luhet për shikues, por kemi pasur edhe mungesë të informatave nga institucionet e vendit. Nuk kemi marrë një përgjigje në pyetjet tona se cilat janë protokollet shtetërore që duhet t’i ndjekim dhe si të veprojmë. E merr përgjigjen ndoshta pasi të kryhet i gjithë edicioni. U jemi drejtuar IKSHPK-së dhe MSH-së, por nuk kemi marrë përgjigje dhe prandaj për t’i ikur ndonjë vërejtjeje eventuale ne kemi vendosur të luajmë pa shikues”, ka thënë Ejupi të mërkurën për KOHËN. “E kemi parë edhe Federatën e po ashtu edhe Dritën që organizuan ndeshjet e tyre pa shikues dhe kemi ndjekur edhe ne rrugën e tyre në mungesë të këshillimit nga institucionet e vendit”.

Ejupi javën e shkuar pati thënë për KOHËN se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është dashur ta rregullojë çështjen e softuerit që i ka skaduar afati dhe protokollit strikt të UEFA-s për koronavirus se nuk do të ketë shikues në stadium.

Softueri, që kushton 10 deri në 12 mijë euro, është i vendosur në stadium, por i ka skaduar afati. Përmes tij kontrollohen biletat e shikuesve që hyjnë në stadium. Softueri paguhet çdo vit. Por, që nga fillimi i pandemisë ndeshjet në Kosovë janë luajtur pa praninë e shikuesve dhe nuk është paguar licenca për vazhdimin e funksionimit të softuerit. Por, në FFK patën thënë se nuk qëndron problemi vetëm te softueri. Sekretari i Përgjithshëm, Eroll Salihu, ka theksuar se problemi qëndron te kostoja e madhe financiare për klubet nëse vendosin të luajnë me shikues. Ai pati theksuar se një biletë për t’u shtypur kushton 2-3 euro dhe secila biletë duhet ta ketë kodin e veçantë dhe se në treg klubet do të detyrohen t’i shesin më shtrenjtë. Te Llapi kanë vendosur që një biletë ta shesin 10 euro. Por, trajneri Tahir Batatina insiston se shitja e gjithë biletave nuk do të mund t’i mbulojë shpenzimet që i kanë bërë si klub.

“I kemi mbuluar të gjitha shpenzimet si klub. E dimë që nuk fitojmë, do të kemi humbje financiare, por për neve ka qenë primare t’i rikthejmë shikuesit në tribuna, sepse ky është diskriminim që po u bëhet tifozëve. Nuk ka qenë e lehtë në këtë kohë të marrim obligime për organizim, sepse klubet në botë fitojnë, por ne humbim. Të gjitha shpenzimet organizative na kanë kushtuar diku rreth 15 mijë euro. Institucionet tona nuk po mendojnë për rininë e këtij vendi dhe shoqërinë tonë dhe nuk kemi pasur asnjë mbështetje si skuadër për organizimin e ndeshjes. Vetëm FFK-ja është duke na mbështetur në organizim e ndeshjes, për çka e falënderojmë e në veçanti njeriun e organizimit, Rinor Havollin, që është shembull për të tjerët. FFK-ja na ka mbështetur në organizim, sepse ne nuk e përfaqësojmë vetëm veten, por Federatën dhe Kosovën”, ka thënë Batatina.

Në fakt, Batatina edhe para fillimit të edicionit të shkuar pati kërkuar që të lejohej prania shikuesve në tribuna. Ai insiston se vendimi për t’i lejuar vetëm 15 për qind të shikuesve në tribuna i ka detyruar ta vendosin biletën 10 euro.

“Moslejimi i më shumë se 15 për qind të shikuesve na ka detyruar ta bëjmë biletën 10 euro, që së paku ta zbusim humbjen e jo ta mbulojmë. Stafi administrativ i Llapit dhe sekretari Muhamet Rexhepi janë për çdo lëvdatë, sepse me rregullat e kërkuara nga UEFA as shteti nuk kishte pasur mundësi të organizohej në këtë mënyrë të mrekullueshme. Pres nga politika jonë që kur të marrin përgjegjësi të jenë afër popullit. Këtë organizim është dashur ta marrë për tri klubet MKRS-ja dhe të na ndihmojë maksimalisht sepse kemi nevojë për mbështetje si në aspektin organizativ, ashtu edhe financiar. Pse mos të lejohen 50% të tifozërisë që të largohen nga presioni psikologjik në këtë kohë”, është shprehur Batatina.