Nënkampionia dhe fituesja e Kupës së Kosovës, Prishtina, në Gjibraltar ndaj Europas do të luajë pa Armend Thaqin dhe Leotrim Bekteshin.
24 futbollistë u licencuan e 20 prej tyre do të udhëtojnë për ndeshjen ndaj Europa, e cila është e para e parakualifikimeve të Ligës së Evropës dhe zhvillohet më 28 qershor.
Mirëpo, “Bardhekaltërve” u doli problem me mbrojtësit Thaqi e Bekteshi, që janë pjesë e FC Prishtinës, por kontrata me klubin e kaluar, Gjilanin, u skadon më 30 qershor, dhe klubi gjilanas nuk dëshiron t’i lirojë më herët.
Për zëdhënësin e klubit të kryeqytetit, Avni Durmishin, në këtë rast janë dëmtuar të dyja skuadrat e Superligës, kurse zyrtarët gjilanas nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje.
Sidoqoftë, licencimin e futbollistëve për Ligën e Evropës, zëdhënësi Durmishi e cilëson si mjaftë të vështirë, për shkak të kohës së shkurtër. Rast të ngjashëm si ai i Thaqit dhe Bekteshit, Prishtina pati edhe me futbollistë të Trepçës ’89, Lirisë dhe Feronikelit, por që nuk është shoqëruar me ndonjë problem sa i përket fletë lëshimeve.
Futbollistët që janë të licencuar e do të udhëtojnë në Gjibraltar janë portierët Visar Bekaj e Alban Muqiqi, mbrojtësit Jamal Arago, Abdul Bashiru, Lorik Boshnjaku, Debatik Curri, Armend Dallku, Ahmet Haliti, Lorik Maxhuni e Përparim Osmani, mesfushorët Ergyn Ahmeti, Meriton Korenica, Gauthier Mankenda, Argjend Mustafa, Mërgim Pefqeli dhe Qendrim Zyba si dhe katërshja e sulmit, Arbër Hoxha, Ahmed Januzi, Alen Jasharoski dhe Basit Abdul Khalid.