Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prishtina me shumë vështirësi mposht Feronikelin

Sigal Prishtina vetëm në minutën e fundit të ndeshjes ka arritur të sigurojë fitoren përballë skuadrës së Feronikelit.

Ndeshja e xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës në basketboll, e luajtur të enjten në Prishtinë, ka përfunduar me fitoren e ngushtë të vendasve me rezultatin 86:82, transmeton Koha Ditore.

Te Prishtina më efikasi ishte qendra Fahro Alihoxhiq me “double-double” prej 25 pikëve e 16 kërcimeve, kurse me pikë dyshifrore kontribuuan edhe Mikaile Tmushiq (22), Jordan Jonson (13) e Anthony Goods (12). Ndërsa, Dayon Griffin (25) e Kareem Storey (19) ishin më të dalluarit te Feronikeli.

Me këtë fitore Prishtina ngrihet në kuotën e 35 pikëve dhe zë vendin e dytë në tabelë. Lider është Rahoveci me dy pikë më shumë. Feronikeli mbetet në pozitën e shtatë me 26 pikë.

Të enjten fitore ka shënuar edhe skuadra e Pejës, që me lehtësi triumfoi përballë Lipjanit, me rezultatin 108:71. Nigel Johnson me 17 pikë e Henrik Shirko (15) u veçuan te skuadra pejane, kurse te Lipjani më efikasi ishte amerikani Tamas Bruce me 27 pikë të shënuara.

Të mërkurën janë zhvilluar dy ndeshje të tjera, në të cilat Ponte Prizreni ka mposhtur Trepçën (91:86) derisa Rahoveci triumfoi ndaj Bashkimit (101:81). Xhiroja e ardhshme në elitën e basketbollit kosovar zhvillohet këtë fundjavë.