Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prishtina e mposhti me lehtësi Llapin në hendboll

Prishtina fitoi në xhiron e 12-të të Superligës së Kosovës në Hendboll në konkurrencën e meshkujve, pasi e mposhti Llapin e vendit të fundit në tabelë, me rezultat, 44:27.

Vendësit e nisën shumë më mirë takimin dhe arritën të realizonin gola të shpejtë, sidomos në kundërsulme dhe ishin më të mirë në fazën e mbrojtjes, kurse mysafirët nuk arrinin t’i bënin ballë, transmeton Sporti në KTV.

Disa minuta para se skuadrat të shkonin në pushim mes pjesëve u pa një rritje e nivelit të lojës së llapjanëve, të cilët arritën ta ngushtonin epërsinë në gjashtë pikë.

Por, prishtinasit nuk lejuan befasi dhe e përfunduan pjesën e parë me shifrat, 22:16.

Në pjesën e dytë, “bardhekaltrit” vetëm e administruan lojën dhe arritën të triumfojnë me 17 pikë epërsi, 44:27.

Edhe Llapi në epërsi ndaj Ferizajt Sport 1 muaj më parë Llapi në epërsi ndaj Ferizajt

Më të dalluarit te skuadra vendëse ishin Kushtrim Kastrati, Beni Syla dhe Agon Bajqinovci, të cilët shënuan nga tetë gola secili, kurse te Llapi lojë të mirë pati Besian Abazi poashtu me 8 gola.

Me këtë fitore, Prishtina arrin në kuotën e 22 pikëve, kurse Llapi që ka vetëm një fitore këtë edicion dhe 11-të humbje, mbetet në vendin e fundit me 2 pikë.