Prishtina është e gatshme të bëjë hapin e radhës në garat evropiane, shkruan sot Koha Ditore.
Barazimi i javës së kaluar pa gola në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës përballë Fola Eschit të Luksemburgut është vlerësuar nga Prishtina si rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit, që luhet të enjten (sot, 19:00) në stadiumin "Adem Jashari" në Mitrovicë.
Por trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, në konferencën për media para ndeshjes ndaj Fola Eschit, ka kërkuar kujdes maksimal e në veçanti në fazën e mbrojtjes.
"Nuk duhet të na rrëmbejë optimizmi dhe të jemi pa frerë në lojë. Kundërshtari ka eksperiencë më të madhe se ne në garat e Evropës. Ne duhet të futemi në fushë duke parë se çfarë jemi dhe çfarë mund të bëjmë në fushë. Duhet të jemi të kontrolluar në veçanti në fazën defensive, sepse kemi parasysh që një gabim i vogël në mbrojtje mund të na kushtojë dhe pastaj duhet bërë përpjekje për ta kthyer rezultatin. Më intereson që futbollistët e mi të luajnë një futboll afër njëri-tjetrit dhe të jemi të rrezikshëm në daljet tona përpara", ka thënë Josa.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).