Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, i ka kundërshtuar të gjithë ata që besojnë se Bjellorusia duhet të ishte e përjashtuar nga shorti i tërhequr të dielën për kualifikimet e Kampionatit Evropian.
Rusia nuk ishte pjesëmarrëse në short si rezultat i pushtimit që po e bën në Ukrainë.
Menjëherë, gazeta gjermane “Der Spiegel” raportoi se Ministrja e Brendshme dhe Komunitetit në Gjermani, Nancy Faeser, i ka shkruar UEFA-s duke e pyetur për shpjegim pse Bjellorusia nuk e pati të njëjtin fat.
Dhe në një intervistë dhënë për gazetën gjermane “Sport Bild” të mërkurën, presidenti i UEFA-s, ka treguar arsyen.
“Është paksa populiste të thuash ‘nxirrni të gjithë jashtë’. Për momentin nuk shohim arsye pse duhet ta bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë Çeferin. “Nëse diçka ndryshon, ne do të reagojmë. Politikanët duhet ta respektojnë të drejtën tonë për të marrë vendime. Ne nuk u tregojmë politikanëve çfarë të bëjnë”, shtoi ai.
Bjellorusia mund të marrë pjesë në turnetë e UEFA-s, por ndeshjet vendëse duhet t’i luajë jashtë kufijve të shtetit dhe pa praninë e tifozëve.
Bjellorusia është kundërshtare e Kosovës në Grupin I kualifikues për Kampionatin Evropian 2024 që do të organizohet në Gjermani.
Në Grupin I është edhe Zvicra, Andorra, Izraeli dhe Rumania.
Ndeshjen në udhëtim ndaj Bjellorusisë, Kosova e zhvillon më 19 qershor të vitit të ardhshëm.
Ciklin kualifikues të Evropianit e nis më 25 mars në udhëtim tek Izraeli.