George Weah kurrë nuk mori pjesë në Kupën e Botës, pavarësisht se ishte një nga më të mëdhenjtë e futbollit. Ai po sigurohet që të mos humbasë mundësinë për ta parë djalin e tij në këtë ngjarje.
Weah, i cili tani është president i Liberisë, po planifikon të jetë në Kupën e Botës në Katar duke shpresuar që djali i tij, Tim Weah, të luajë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti 56-vjeçar ka arritur në Katar të martën për një qëndrim nëntëditor. Kjo i jep mundësinë për të qenë atje kur SHBA-ja përballet me Uellsin në ndeshjen e parë të Botërorit, të hënën e ardhshme. SHBA-ja bën pjesë në Grupin B të Botërorit “Katari 2022”, të cilin e përbëjnë edhe Anglia e Irani.
“Sigurisht se do të jem në tribuna për ta përkrahur Timin në këtë ngjarje të madhe, në të cilën nuk arrita të paraqitem si lojtar. Është një ndjenjë fantastike ta shoh Timin dhe SHBA-të, e që shpresoj se të avancojnë nga faza e grupeve”, është shprehur Weah.
George Weah i dërgoi një letër Senatit të Liberisë në fillim të këtij muaji duke e informuar për planet e tij të udhëtimit. Ai tha se do të jetë në Kupën e Botës nga 15 deri më 23 nëntor, pas udhëtimeve zyrtare në Marok, Egjipt dhe Francë. Zonja e Parë, Clar Weah, nëna e Timit, gjithashtu është në këtë udhëtim.
Tim Weah, 22 vjeçar, ka lindur në New York kur babai i tij ishte ende lojtar profesionist. Sulmuesi i krahut bëri debutimin për SHBA-në në vitin 2018. Ky do të jetë Botërori i tij i parë.
“Jam shumë i emocionuar që jam përfshirë në ekip për Kampionatin Botëror, pasi çdo futbollist ëndërron të luajë në këtë ngjarje. Po ashtu nuk do të më mungojë edhe përkrahja nga tribunat dhe shpresoj të bëj një paraqitje të mirë, kuptohet nëse me jepet rasti”, është shprehur Tim Weah. “Kemi një grup të vështirë, por kemi një ekip shumë të mirë dhe sigurisht që synimi është ta kalojmë fazën e grupeve”.
George Weah është një nga lojtarët më të mëdhenj që ka dalë nga Afrika dhe është ende i vetmi afrikan që ka fituar “Topin e Artë”. Ai luajti sulmues për skuadrat e njohura të Evropës, si Paris Saint-Germaini, Milani, Chelsea dhe Manchester City gjatë karrierës 18-vjeçare në nivel klubesh. Paraqitja e tij e fundit për Përfaqësuesen e Liberisë ishte në shtator të 2018, kur bëri një paraqitje surprizë në një ndeshje humanitare kundër Nigerisë në moshën 51-vjeçare, një vit pasi ishte zgjedhur president i Liberisë.
Kjo do të thoshte se babai dhe djali luanin futboll ndërkombëtar në të njëjtin vit. Në 75 paraqitje për Liberinë, Weah ka shënuar 18 gola. Ndërkohë, i biri i tij, Timi, karrierën si profesionist e ka nisur në vitin 2018 te Paris Saint-Germaini, përpara se të huazohet te Celticu. Ai prej vitit 2019 është pjesë e skuadrës franceze, Lille. Me përfaqësuesen A të SHBA-së, Timi ka shënuar tri gola në 25 paraqitje. Para se të debutonte te SHBA-ja në vitin 2018, Timi prej vitit 2015 ka luajtur për gjeneratat e reja të këtij shteti – U15, U17, U20 dhe U23.