Sport

Presidenti i KOK-ut propozon që disa sportistë të bëhen pjesë e FSK-së

Ministri i Mbrojtjes ka pritur në takim presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasani.

Ministri i Mbrojtjes u shpreh i nderuar për këtë takim dhe përgëzoi Hasanin për sukseset e sportistëve kosovarë, të cilët sipas tij, i kanë bërë krenarë të gjithë.

Më tej ministri i informoi zyrtarët e KOK-ut rreth procesit të tranzicionit të FSK-së dhe arritjeve gjatë fazës së parë 120 ditësh pas miratimit të ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së.

Në takim u diskutua rreth formalizimit të bashkëpunimit të KOK-ut me FSK-në në fushën e sportit.

“Kjo do të ndikonte edhe në masovizimin e sportit të të rinjve të vendit tonë”, tha ai.

Presidenti Hasani shprehu gatishmërinë që KOK-u ta përkrahë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në organizimin e pjesëtarëve të FSK-së nëpër klube në disiplina të ndryshme sportive, organizimin e garave si dhe në themelimin e federatës ushtarake të sporteve brenda FSK-së.

“FSK-ja në radhët e saj ka të përgatitur sportistë, të cilët me sukses mund të garojnë në gara ndërkombëtare”, tha Hasani.

Duke ndjekur praktikat e mira të disa ushtrive në Evropë, presidenti Hasani propozoi që disa nga elitarët e sportistëve të Kosovës të mund të bëheshin pjesëtarë të FSK-së.

Ministri Berisha e përkrahi këtë ide dhe është zotuar që do të hulumtohen modalitet më të përshtatshëm që sportistët elitarë të respektojnë FSK-në si pjesëtarë në uniformë, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi.

Ministri Berisha dhe Presidenti i KOK-ut Hasani u pajtuan që pa vonesë të themelohen grupet punuese nga të dy palët për hartimin e një memorandumi bashkëpunimi me qëllim të thellimit të bashkëpunimit institucional ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.