Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Presidenti i Francës konfirmon se e bindi Mbappen të mbetet te Parisi

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka zbuluar se ai ndihmoi ta bindte sulmuesin Kylian Mbappe të qëndronte te Paris Saint-Germaini, ka raportuar “Sky Sports” të hënën.

Mbappe nënshkroi kontratë trevjeçare me Parisin, duke u dhënë fund spekulimeve se ai mund të transferohej te Real Madridi si lojtar i lirë. Macron, i cili është një tifoz i rivalëve të PSG-së, Marseillet, tha se një takim me fituesin e Kupës së Botës i kërkoi Mbappes të qëndronte në Ligue 1 dhe të refuzonte një lëvizje në Spanjë.

“Po, është e vërtetë që kam pasur një bisedë me Kylian Mbappen para se ai të merrte një vendim për të ardhmen e tij”, tha presidenti Macron. “Në të, unë thjesht e këshillova atë, në një mënyrë krejtësisht joformale, të qëndrojë në Francë. Besoj se është përgjegjësia ime, si president, të mbroj vendin kur kërkohet në mënyrë joformale dhe miqësore. Unë kurrë nuk kam ndërhyrë në asnjë transferim. Ashtu si çdo qytetar tjetër, kur bëhet fjalë për çështjet sportive, unë gjithmonë dua të shoh një lojë të mirë dhe të bëj tifo për një ekip, veçanërisht, në rastin tim, për Olympique Marseillen”.